06/05/2024
18.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

ASH: Qeveria premton ndihmë për ekonominë, selekton sipas interesit

Të nderuar qytetarë , të nderuara media! Arsyeja që po ju drejtohemi sot janë dy problematika të cilat konsiderojmë se kërkojnë trajtim të drejtë.

E para ka të bëjë me masat “zbukuruese” të qeverisë të cilat qëllimisht lihen me zbrazëtira që të njëjtat të mund lehtë të kontestohen. Ashtu siç ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila anuloi urdhëresën e qeverisë me të cilën duhej të shkurtoheshin pagat e deputetëve, gjykatësve dhe zyrtarëve.

Në të kundërtën nëse qeveria ishte e sinqertë me vendimin që mori me të cilin 2060 funksionarëve shtetërorë do t’iu uleshin pagat në 14,500 denarë për muajt prill dhe maj, aq sa marrin të punësuarit në sektorin privat në kohë të krizës, këtë qeveria duhej ta bënte ashtu që të mos mund të kontestohej nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Prandaj, që masa për “solidaritet” të mos shndërrohet në masë për propagandë politike, por të mund të jetë e zbatueshme në realitet, Aleanca për Shqiptarët kërkon nga qeveria të ul koeficientin e përllogaritjes së rrogave të të gjithë të zgjedhurve dhe të emëruarve nga qeveria dhe parlamenti dhe funksionarëve të tjerë, me qëllim që Gjykata Kushtetuese të mos mundet ta anuloj të njëjtën.

Ndërkaq, përllogaritja e rrogave me koeficientin e ri të përllogaritjes të vlejë për aq kohë sa do të vlejë niveli i pagës prej 14,500 denarë, për të punësuarit në sektorin privat.

Po ashtu Aleanca për Shqiptarët kërkon transparencë dhe shpërndarje të drejtë të mjeteve të mbledhura në fondin për ndihmë, mbështetje dhe menaxhim me krizën shëndetësore- ekonomike të shkaktuar nga virusi Covid 19.

Të nderuar qytetarë, përderisa Gjykata Kushtetuese anuloi vendimin që të zgjedhurit dhe të emëruarit të marrin paga të shkurtuara në vlerë pre 14, 500 denarë, shumë punëdhënës respektivisht ndërmarrje që aplikuan për të siguruar këtë nivel page për të punësuarit në sektorin privat kanë marrë përgjigje negative nga Drejtoria e të Hyrave Publike, që në fakt paraqet edhe problematiken e dytë që nga departamenti ekonomik pranë Aleancës për Shqiptarët konsiderohet e rëndësishme për t’u trajtuar, pasi ajo lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen e vendeve të punës e si rrjedhojë edhe me ekzistencën e shumë qytetarëve.

Në dy njoftimet e fundit të Drejtorisë së të Hyrave Publike thuhet se vetëm 10 103 punëdhënës – kompani deri në këtë moment i plotësojnë kushtet dhe kanë fituar të drejtën për mbështetje financiare për pagesë të rrogës në vlerë prej 14 500 denarë për muajin prill të vitit 2020, vendim ky që u soll në seancën e Qeverisë së RMV-së të mbajtur me datë 01.05.2020. Ky numër nuk është as sa gjysma e numrit të përgjithshëm prej 21.542 aplikime për këtë ndihmë, numër ky që tregon nevojën e madhe që bizneset kanë në këtë kohë krize.

Prandaj Aleanca për Shqiptarët bën thirrje që Drejtoria e të Hyrave Publike:

Të jep sqarime më të detajuara për arsyet e refuzimit të kërkesës për mbështetje financiare për ndërmarrjet që kanë aplikuar, por që janë refuzuar,
Të jep udhëzime shtesë për lëshimet teknike që mund të jenë arsye e refuzimit si rezultat i paqartësive në formularët për aplikim si pasojë e ndërrimeve të shpeshta dhe jo konsistencës së qeverisë në vendimet që merr dhe
Të jep afat shtesë për aplikim për të gjithë punëdhënësit, respektivisht ndërmarrjet të cilat u refuzuan në kërkesën e tyre për mbështetje financiare për pagesë të rrogës në vlerë prej 14,500 denarë.
Konsiderojmë se Qeveria duhet të veprojë menjëherë në mënjanimin e çdo pengese që hasin ndërmarrjet për përfitimin e mbështetjes financiare me qëllim që të nxitet ruajtja e vendeve të punës për të punësuarit në sektorin privat.

Ilire Dauti – kryetare e Departamentit Ekonomik- Aleanca për Shqiptarët

Të fundit