19/05/2024
19.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Autoritet: Pllaka “Dardanus” nuk është dëmtuar gjatë gërmimeve

Pllaka e zbuluar së fundmi që mendohet se daton në shekullin e dytë, në mbishkrimin e të cilës figuron edhe emrin “ Dardanus” ka arritur të trazojë opinionin në shekullin 21. Zona në të cilën tashmë një vit e gjysmë po realizohen gërmime arkeologjike i ishte dhënë një investitori. Në momentin kur aty janë zbuluar mbetje arkeologjike investitori nuk ka pasur më të drejtë të vazhdojë punimet për ndërtim objekti. Përveç kësaj, investitori financon edhe gërmimet në atë zonë ku janë gjetur varreza të lashta, sepse për këtë gjë e detyron ligji. Pllaka e gjetur në zonën rreth rrugës “Skupi” nuk është dëmtuar gjatë gërmimeve dhe kjo dallohet me sy të lirë. Pllaka është zhvendosur në zonën e mbrojtur aty ku janë zbuluar rrënojat e qyteti Skupi. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Arian Asllanaj, thotë se askush nuk e mohon se aty kanë jetuar Dardanët dhe thekson se askush nuk po përpiqet të fshehë historinë.

“Askush nuk mund ta mohojë faktin se këtu Dardanët kanë jetuar. Dhe ky është fisi Ilir dhe kjo është pjesë shumë vitale e Ilirisë të asaj kohe, edhe pse si shtet nuk ka ekzistuar, por kemi qenë në Romakët dhe më vonë nën Bizantët. Ka pasur shkatërrime të gjata pas romakëve në të gjitha këto nekropole. Ka nga 20 persona në një varrezë. Unë vet isha prezent, ishte edhe ambasadori i Kosovës, kishte edhe gazetarë që në vendngjarje e panë dhe u vërtetu se nuk ishte e dëmtuar. Mbishkrimi është në gjendje të mirë. Një pjesë e vogël fundore, që nuk e prish shkrimin apo mbishkrimin në atë epitaf, nuk është e dëmtuar dhe është e dislokuar 200 metra prej këtu”, tha Arian Asllanaj-Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Gërmimet në atë zonë planifikohet të vazhdojnë edhe për disa vite, sepse siç thonë arkeologët varret janë në katër shtresa. Nëse në të ardhmen aty do të lejohet ndërtimi i ndonjë objekti do të varet nga zbulimet që arkeologët do të bëjnë në të ardhmen, sepse ligji e përcakton kur një zonë mund të shpallet e mbrojtur. Zonat ku zbulohen varreza të lashta nuk shpallen të mbrojtura pas përfundimit të gërmimeve.

“Kur të përfundojnë të gjitha gërmimet dhe kërkimet, pasi të vërtetohet se në këtë parcelë nuk ka më mbetje të as njëlloj trashëgimie kulturore, që do të thotë se e gjithë parcela do të kërkohet deri në shtresën më të thellë të mundshme, ku nuk ka më shtresa kulturore, vetëm atëherë investitorit i jepet mendim konservator. Vetëm përmes atij dokumenti, Komuna e Karposhit mund t’i japë investitorit leje për ndërtim. Nëse nuk e ka atë dokument, Komuna nuk guxon të japë leje ndërtimi për këtë zonë”, deklaroi Vera Atanasovska -arkeologe.

Epitafi në sarkofagun e zbuluar ditët e fundit përmban emrin e Epikratusit, bashkëshortes së tij dhe tre djemve të tyre, ku djali të tretë i kishin dhënë emrin Dardanus. Nëna e Dardanusit ishte skllave dhe dy djemtë e saj të cilët i lindi para se të lidhtë martesë me Epikratusin, po ashtu lirinë e fituan më vonë. Pas kurorëzimit Epikratusi u bë edhe më një djalë, të cilin e quajti Dardanus. I pari nga tre djemtë e Ekipratusit që lindi i lirë. /Alsat.mk

Të fundit