13/04/2024
19.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Avokati serb vendosi lule te varri i Blerina Jasharit në Prekaz: E kemi obligim, nuk frikësohem (VIDEO)

Çedomir Stojkoviç, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviç, i cili së fundmi u raportua se u rrah brutalisht nga BIA serbe, ka bërë homazhe te varri i Blerina Jasharit në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në një prononcim të shkurtër para gazetarëve, Stojkoviç ka thënë se nesër do të shkojë ne Beograd dhe se nuk frikohet sepse sipas tij, është obligim të bëjë atë që është e drejtë dhe e duhur.

“Nesër do të shkoj në Beograd dhe nuk kam arsye të frikësohem. Ne e kemi për obligim të bëjmë se çka është e drejtë dhe çka është e duhur”, ka thënë ai.

Stojkoviç te varri i Blerina Jasharit ka lënë edhe një mesazh.

“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet, dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën ‘M’fal’”, thuhet në mesazh.
I pyetur për gjendjen e Sanduloviç, ai ka thënë se gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë, por aktualisht është jashtë rrezikut për jetë.

“Dhuna që ai ka përjetuar, dora dhe këmba e djathtë janë të palëvizshme. Ka një bri të thyer dhe ai është në gjendje të rëndë, por jo në rrezik për jetën”.

Ndryshe politikani opozitar serb, Nikolla Sanduloviç, ishte liruar pas disa ditë paraburgimi në qytetin jugor të Serbisë, Nish.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij Stojkoviç, duke sqaruar se ky vendim u mor “pas trysnisë së shtuar” nga vendet e Perëndimit.

Sanduloviç vitin e kaluar bëri homazhe në kompleksin “Adem Jashari”, në Prekaz duke vendosur një kurorë në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). /Albanianpost.com

Të fundit