Të tjera lajme

BDI: DY VITE TË HUMBURA PËR PROJEKTET STRATEGJIKE

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzoi Qeverinë për vonesa dhe pengim të realizimit të dy projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend – Korridorit 8 dhe Autostradës Shkup–Bllacë. Në një konferencë për media, BDI tha se këto projekte u projektuan, u financuan dhe u vunë në zbatim gjatë kohës kur ishte pjesë e Qeverisë, ndërsa ekzekutivi aktual, sipas tyre, humbi dy vite duke i kontestuar dhe zvarritur, për t’u detyruar më pas t’i vazhdojë. Sekretari organizativ i BDI-së, Nebi Rexhepi tha se qytetarët mund të bëjnë qartazi dallimin mes propagandës së këtij ekzekutivi dhe punës që e kanë bërë ata.

NEBI REXHEPI – Sekretar Organizativ i BDI-së
“Sot dua të ndalem në dy nga projektet më strategjike infrastrukturore për vendin: Korridorin 8 dhe Autostradën Shkup-Bllacë. Këto nuk janë thjesht projekte rrugore. Ato janë projekte që përcaktojnë drejtimin ekonomik, zhvillimor dhe euroatlantik të vendit tonë. Janë projekte që e lidhin Maqedoninë e Veriut me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, rajonin dhe Evropën. Por, mbi të gjitha, këto dy projekte janë dëshmia më e mirë e dallimit mes një qeverie që punon dhe një qeverie që merret me propagandë. Kur Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ishte pjesë e Qeverisë deri në qershor të vitit 2024, këto projekte avancuan me ritme konkrete: u morën vendime politike, u siguruan financimet, u kryen procedurat ligjore, u finalizuan projektet dhe punimet filluan në terren. Fatkeqësisht, sot po shohim një fenomen tjetër. Projektet që lidhin vendin me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës nuk kanë më atë peshë politike që kishin kur BDI ishte pjesë e vendimmarrjes. Kjo nuk është rastësi. Kur ne merrnim vendime, këto projekte ishin prioritet shtetëror. Sot ato trajtohen si barrë. Ky është dallimi mes një qeverisjeje ku shqiptarët kishin peshë reale në vendimmarrje dhe një qeverisjeje ku ata që pretendojnë se i përfaqësojnë shqiptarët nuk kanë forcë as të mbrojnë projektet më strategjike për qytetarët që u kanë dhënë besimin”.

Të fundit