Pas presionit të opinionit publik, dhe reagimit te BDI-së dega Gostivar, Taravari u detyrua të rishqyrton vendimin për vendosjen e objektit të Qendrës Informative Turistike në sheshin e qytetit në Gostivar.
Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar, përgëzon Taravarin që mori guximin te pranon që qendra e qytetit nuk është lokacioni i duhur për vendosjen e objektit në fjalë.
Urojmë që vendimi i tij për debat publik të mos jetë vetëm një farsë dhe të pranohen propozimet e qytetarëve që të ndërrohet lokacioni i objektit të Info Qendrës Turistike. Ndryshe, çdo vendim që objekti të ngelet aty ku është vendosur, do ta llogarisim si manipulim të kërkesës dhe vullnetit të qytetarëve.
Siç theksuam në reagimin e datës 06.06.2020, lokacion i përshtatshëm është objekti i komunës që ndodhet vetëm disa metra nga sheshi i qytetit, apo objekti ekzistues tek shëtitorja e lumit Vardar në afërsi të Gjyqit dhe që aktualisht nuk shfrytëzohet për asgjë. Por fjala e fundit le të jetë vendimi i shumicës së qytetarëve dhe ekspertëve.
Konsiderojmë që me këto dy zgjidhje, objekti nuk do të ishte pengesë për qytetarët e Gostivarit dhe do të paraqiste leverdi financiare, pasi nuk do të bëheshin shpenzime plotësuese për mirëmbajtjen e objektit.
Ftojmë Taravarin që për çdo rast kur flitet për pronën publike, paraprakisht të zhvillohet debat publik dhe të pyes qytetarët, dhe jo me vendime arbitrare siç veproi në rastin konkret, të vendos mbi pronën që u takon të gjithë qytetarëve, Këtë të drejtë nuk e ka asnjëri nga ne.
Ritheksojmë që dega e Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI në Gostivar mbështet iniciativën për hapjen e Info Qendrës Turistike që do të kishte për qëllim promovimin e Gostivarit dhe rrethinës si një destinacion i mundshëm turistik.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)