Partitë dhe koalicionet të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik prej sot do ta prezantojnë ofertën e tyre politike para qytetarëve. Edhe pse paralajmëruan fushatë pa mitingje dhe tubime të tjera më të mëdha, me përdorimin të shtuar të rrjeteve sociale, mediat tradicionale, billborde dhe lloj tjetër të prezantimeve onlajn, partitë i fillojnë edhe aktivitetet e tyre në terren.
Në ditën e parë të fushatës zgjedhore 20-ditore, karvani i Koalicionit “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja do të jetë në Strumicë dhe Vinicë, Koalicioni i VMRO-DPMNE-së “Për rindërtimin e Maqedonisë” aktivitetet zgjedhore i fillon në Ohër, Shkup, Strumicë dhe Tetovë, ndërsa BDI-ja me konventë promovuese të kandidatëve në Prespë.
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do ta hapin fushatën me prezantimin e programit me shtabin e tyre kryesor në Çarshi të Vjetër të Shkupit, ndërsa PDSH-ja me vizitë të varrit të Arben Xhaferit dhe me prezantimin e platformës në Tetovë.
Platforma politike Koncepti maqedonas e fillon fushatën parazgjedhore para ndërtesës së Info-Qendrës së BE-së, ndërsa INTEGRA – Partia Konservatore e Maqedonisë nga Manastiri.
Partitë dhe koalicionet të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje, programet e tyre do të mund t’i paraqesin deri më 12 korrik në orën 24 kur përfundon fushata zgjedhore.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas listave të parashtruara në KSHZ, do të marrin pjesë 15 koalicione dhe parti me 1.598 kandidatë.
Votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të realizohet tre ditë, ndërsa dita e zgjedhjeve do të vazhdohet për dy orë dhe do të zgjasë nga ora 19 deri në orën 21.
Më 13 korrik do të votojnë personat të cilët janë në karantinë shtëpie për shkak të testit pozitiv me Kovid-19 dhe personat të cilëve u është caktuar masa vetizolim me vendim nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar.
Më 14 korrik të vitit 2020 do të votojnë personat e sëmurë dhe të pamundur, si dhe të sëmurët kronikë dhe personat e tjerë të cilët konform Kodit Zgjedhor votojnë një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Në ditën e zgjedhjeve, më 15 korrik, vendvotimet do të hapen në orën 7, ndërsa votimi do të zgjasë deri në orën 21, dy orë më gjatë se zakonisht në zgjedhjet paraprake kur vendvotimet mbylleshin në orën 19. ar/