Komisioni Evropian sot e prezantoi strategjinë e vet për luftën kundër dezinformatave në kontekst të krizës me Kovid-19, ndërsa Ballkani Perëndimor duhet më intensivisht të përfshihet në të ardhmen, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Të sigurohen informata të sakta dhe kontroll i fakteve në bashkëpunim me kompani]të dixhitale, në të njejtën kohë duke i ballafaquar demokracinë dhe lirinë e shprehjes, është porosia kryesore që del nga strategjia e Komisionit Evropian për luftën kundër dezinformatave në kohë të koronavirusit, e paralajmëruar sot nga ana e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borel dhe eurokomisares për vlera, Vera Jurova.
Komisioni propozon një sërë aksionesh në bashkëpunim me gazetarët, rrjetet sociale, platforma digjitale, autoritetet, e tjerë, që të ngritet vetëdija e qytetarëve lidhur me dezinformatat në sferën e shëndetësisë, të cilat jo rrallë janë përkrahur ose promovuar nga aktorë të huaj shtetëror, si Rusia dhe Kina, deklaruan sot Borel dhe Jurova.
Në këtë kontekst Ballkani Perëndimor ka rol të rëndësishëm për Bashkimin Evropian, pasi rajoni është “fushë betejë” ku këto forca të huaja përhapin dezinformata, me qëllim që të dobësohet përkrahja për Bashkimin Evropian, sqarojnë nga Komisioni Evropian.
Për këtë shkak Komisioni Evropian dëshiron “më shumë të involvohet” në betejën kundër lajmeve të rreme në rajon.
Konkretisht, mes tjerash, KE-ja planifikon pako ndihmash për partnerët nga rajoni dhe më gjerë në fqinjësi që të promovojë informata të besueshme dhe të luftojë kundër dezinformatave, qëndron në strategjinë e Komisionit Evropian.
Kjo do të nënkuptonte bashkëpunim me gazetarët dhe mediumet përmes delegacionit të BE-së dhe ambasadave të vendeve anëtare të Unionit.
Shërbimi evropian i punëve të jashtme para disa viteve formoi njesi të posaçme për luftë kundër dezinformatave, para se gjithash, që të pengohet ndikimi rus.
Por, u bë e qartë se ekipi i BE-së në komunikim strategjik në Ballkanin Perëndimor, i cili është i përbërë nga pak njerëz, nuk mjafton për ballafaqim me sfidën nga lajmet e rreme dhe ndikimin e fuqishëm nga Rusia dhe Kina në rajon.
Gjatë ditëve të ardhshme pritet që Komisioni Evropian të prononcohet edhe me numra më të saktë për financimin e kësaj strategjie në rajon. bsh/