-Për të rritur besimin e qytetarëve dhe për ta ditur se askush nuk realizon ekstra fitim në faturën e janarit për energjinë e shpenzuar të cilën qytetarët do ta marrin në shkurt, nuk do të ketë kompensim prej 200 denarë për qasje në rrjet, informoi sot kryetari i Komisionit rregullator për energjetikë (KRRE), Marko Bislimoski.
“KRRE e bën këtë për t’i bindur të gjithë se kompensimi i ri nuk do të jetë një fitim shtesë për asnjë kompani. Thjesht duhet të promovojmë dhe rrisim besimin që duhet të ndërtohet mes konsumatorëve nga njëra anë dhe operatorit të sistemit të shpërndarjes nga ana tjetër dhe në këtë drejtim theksoj edhe një herë se në faturat e janarit që qytetarët do t’i marrin në muajin shkurt nuk do të ketë kompensim prej 200 denarë “, tha Bislimoski në konferencën e sotme për shtyp.
Ai theksoi se kompensimi është llogaritur sipas vendimit të KRRE-së.
“Vendimi ka hyrë në fuqi më 1 janar. Në vetë llogaritë tashmë ka konsum që i referohet edhe janarit dhe për këtë e kanë futur, pra nuk kanë gabuar”, saktëson Bislimoski.
Apeloi që qytetarët të shfrytëzojnë mundësinë që vetë t’i lexojnë njehsorët e rrymës elektrike.
“Do të thotë, edhe një herë apelojmë tek qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë e vetëleximit. Këtë e kemi futur disa vite më parë. Atë gjendje të njehsorit që qytetarët e raportojnë është e detyrueshme që EVN ta zbatojë në llogaritë e tyre”, tha Bislimoski.