20/05/2024
17.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dallimet e temperaturave janë shokuese për njerëzit, këtë verë në RMV mund të ketë stuhi me bubullima

Këto ditë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha të temperaturës. Hymë në pranverë me temperatura verore, ndërsa tani kemi temperatura të ulëta. Njerëzit e ndjeshëm reagojnë ndaj këtyre ndryshimeve, sepse trupi nuk mund të mësohet menjëherë me ndryshimet, ka nevojë për adaptim, thotë kështu për Meta.mk meteorologu Prof. Dr. Vllado Spiridonov, profesor i rregullt i meteorologjisë në Institutin e Fizikës pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore – Matematikore,
Ai thekson se këto ndryshime të papritura më së shumti i ndjejnë të sëmurët kronikë, popullata më e moshuar, por edhe të rinjtë.

Kjo valë e ftohtë do të zgjasë deri në fillim të javës së ardhshme. Temperaturat e ulëta do të sjellin reshje bore në malet më të larta në Maqedoninë Perëndimore, por jo edhe në vendet më të ulëta, pemët frutore nuk do të ngrijnë, kështu që bujqit nuk kanë pse të kenë frikë. Temperaturat minimale do të jenë mbi 0, por në vendet më të larta nuk përjashtohet mundësia që gjatë ditës së sotme të ketë reshje të borës. Nga nesër do të vazhdojë moti i ndryshueshëm, më i freskët, e që do i ngjajë motit të pranverës së hershme”, thotë profesori i cili ka qenë edhe profesor vizitor në Universitetin e Vjenës.

Ai shpjegon se një nga anët negative të ndryshimeve klimatike janë pikërisht këto oscilime të motit.

Ajo që po ndodh tani jo domosdoshmërisht është e lidhur drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike. Por, brenda atyre ndryshimeve stinore, vetë sistemi ndryshon dhe oscilon, e kështu ne nga një mot i qëndrueshëm kalojmë në një masë polare. Kështu tani jemi nën ndikimin e një mase tjetër, me karakteristika më të lagështa, presion më të ulët dhe temperatura më të ulëta. Ky mot i ngjason motit siç duhet të jetë në pranverë, por jo nga aspekti i oscilimeve të mëdha”, shton profesori.

Popullata jonë nuk është mësuar që ta presë pranverën me temperatura të verës apo dimrin me temperatura të vjeshtës.

“Për shembull, vitin e kaluar pranvera ishte shumë e lagësht, nuk e dinim nëse do të shkonim me pushime në fillim të verës. Në planetin tonë ka edhe shembuj të tjerë të këtillë. Sistemi ynë klimatik është çrregulluar, nuk është mësuar të funksionojë nën ndikime të tilla, ndërsa ato ndikime janë ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu. Ka rritje të emetimeve të CO2 në atmosferë, gjë që, nga ana tjetër, e ndryshon përbërjen kimike të saj. Gazrat serrë, avujt e ujit dhe CO2, e shtojnë nxehtësinë e drejtuar drejt sipërfaqes së tokës dhe në këtë mënyrë ndodh procesi i ngrohjes globale”, thotë profesori Spiridonov.

Ai shton se në gjysmën e dytë të pranverës do të ketë reshje.

“Për atë se si do të jetë vera, ka vlerësime të ndryshme. Modelet dhe vlerësimet atmosferike tregojnë për një verë më të ngrohtë, ndërsa në korrik dhe gusht mund të jetë rrezik sepse mund të ketë stuhi më intensive me bubullima, të cilat mund të jenë mjaft shkatërruese. Kjo është rezultat i ndryshimeve klimatike”, thekson Spiridonov.

Vala e ftohtë ka prekur pjesën më të madhe të Evropës, përfshirë këtu edhe vendet e rajonit. Në një deklaratë për “H1”, fizicienti atmosferik Prof. Branko Grisogono tha se edhe pse edhe më parë ka pasur ndryshime të papritura të motit, nuk ka ndodhur asnjëherë që temperatura të bjerë nga 30 në 6 gradë.

“Sa i përket motit prilli është muaji më i ndryshueshëm i të gjithë vitit. Kjo është shokuese për ne sepse kaluam nga temperatura tipike të verës në temperaturat e pranverës të hershme. Këto javët e fundit kemi pasur temperatura absolutisht mbi mesataren ndërsa tani jemi katër deri në shtatë gradë nën mesataren. Kjo paraqet një diferencë prej 20 gradë dhe trupi e ndjen këtë dhe kjo është shokuese”, tha profesori Grisogono, i cili ligjëron në Fakultetin e Shkencave Natyrore – Matematikore në Zagreb.

Të fundit