18/06/2024
18.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Debat publik për nevojën e një Ligji për Gjendje të Jashtëzakonshme

Që kur filloi vaksinimi anti-Covid në Maqedoni të Veriut, ditën e mërkurë, janë vaksinuar 642 mjekë dhe infermiere nga spitalet Covid.

“Imunizimi i punëtorëve mjekësorë zhvillohet normalisht dhe me kapacitet të plotë në spitalin modular të KIBFS në Shkup, ku janë vendosur 6 pika vaksinimi, punohet në dy ndërrime nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 8 pas dite, nga e hëna në të shtunë”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Personeli mjekësor është duke e pranuar vetëm dozën e parë të vaksinës Pfizer, ndërkohë të dytën duhet ta marrin pas 21 ditësh nga pranimi i saj.

Ndryshe, deri më tani përmes ueb-faqes “Vakcinacija.mk” mbi 60 mijë janë paraqitur për vaksinim kundër KOVID-19, ndërsa përmes mjekut amë, për vaksinim janë paraqitur rreth 30 mijë.

“Sipas planit për vaksinimin e punonjësve shëndetësor, të parët që vaksinohen janë personeli mjekësor i cili ka punuar ose po punon me pacientë me KOVID nga Klinika e Sëmundjeve Infektive, SPQ “8 Shtatori”, Instituti i fëmijëve për sëmundje të mushkërive Kozle, klinikat interne të cilat hospitalizojnë pacientë. Nga java e ardhshme, vaksinimi do të fillojë për punonjësit shëndetësor në spitalet në të gjithë vendin, si dhe spitalet private”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Vaksinat janë të sigurta dhe të zhvilluara në platforma të sigurta. Të dielën, nga Serbia morëm 4,680 nga 8,000 vaksinat të Pfizerit. Gjatë javës tjetër, pritet të arrijnë sasi të tjera nga Serbia në Maqedoninë e Veriut”, thuhet tutje në kumtesën e MSh-së.

Ministria informoi se deri në fund të muajit shkurt pritet të arrijnë 200,000 vaksinat nga Republika Popullore e Kinës.

Maqedonisë e Veriut, thonë nga ky institucion, përmes mekanizmit KOVAKS ka siguruar 833,000 doza të vaksinave. Dërgesa e parë që do të mbërrijë në vendin tonë do të jetë me vaksinën AstraZeneka, sasia e parë e së cilës është planifikuar të mbërrijë në mars. Nga kjo vaksinë për Maqedoninë e Veriut, janë paraparë ndërmjet 103,200 – 175,200 doza, nga të cilat rreth 35% duhet të arrijnë në dërgesën e parë, ndërsa pjesa tjetër në tremujorin e dytë të vitit. Vetëm 18 vende janë të përfshira në shpërndarjen e mekanizmit Kovax për vaksinat Pfizer, duke mos përfshirë vendet që kanë filluar me programet e tyre të vaksinimit kundër Covid 19.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut dje filloi vaksinimi. Të parët në listë janë punonjësit shëndetësor. Ekzistojnë dy mekanizma për vaksinim, njëri përmes ueb-faqes, ndërsa tjetri përmes mjekut amë.

Më 14 shkurt, kryeministri Zoran Zaev ka pranuar 4.680 doza të vaksinës nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përkundër se ishte paralajmëruar të ndodhë më 11 shkurt. Këto vaksina janë vaksinat e para dhe të vetme deri më tani në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pritet të vijnë dhe vaksinat kineze.

Për të siguruar mbrojtje ose imunizim kolektiv, gjegjësisht për të ndërprerë përhapjen e kovid-19, siç thonë nga Organizata Botërore të Shëndetësisë, është e nevojshme që rreth 70% e popullatës të vaksinohen. Ekspertët shëndetësorë vlerësojnë se duhet kohë për të vaksinuar 70 përqind të popullsisë në mënyrë që, të themi kushtimisht, të mund të “merrnim frymë” më lirshëm.

Të fundit