24/06/2024
18 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dehari: Bujar Osmani ta kuptojë se fuqia e Izet Mexhitit buron te populli

Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, e quan të gabuar vendimin për caktimin e ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, koordinator të aktiviteteve politike të BDI-së në Çair. Ai, në Programin 200 TV Alsat, tha se nuk ka vendim që mund të anashkalojë forcën e një politikani që buron nga populli, duke aluduar te kryetari aktual i degës së BDI-së në Çair, Izet Mexhiti, transmeton Portalb.mk.

“Realisht, të flas ashtu siç më do shpirti, askush askënd nuk mund ta anashkalojë me mënyrë të këtilla nëse është i emëruar koordinator. Vetë Bujari duhet ta ndjejë atë, vetë unë duhet ta ndjejë atë, nëse e shohim qartë se nga ku buron mbështetja dhe forca jonë. Çdonjëri nga ne fuqinë dhe mbështetjen e gjejmë te populli dhe në fund të fundit për çdo politikan, kushdo qoftë ai, nëse nuk është populli treguesi më i qartë për dukuritë tona politike, për hapat tona që marrim, mendoj se është gabim dhe në këtë rast tregues më të qartë i kemi qytetarët, e shohim qartë…dhe fatmirësisht BDI gëzon një mbështetje të fuqishme te qytetarët, nuk mund t’i ndajë këtë apo atë tabor, ne shohim salla sportive të mbushura”, u shpreh Dehari në Programin 200, në Alsat.

Kujtojmë se TV21, njoftoi se Ahmeti ka vendosur që Osmani të jetë koordinator i proceseve politike në degën e Çairit. Në këtë mënyrë kjo nënkupton marrje të kompetencave të Izet Mexhitit si kryetar i degës së BDI-së në Çair.

Portalb.mk, kërkoi qëndrim edhe nga Bujar Osmani, por edhe nga shefi i Kabinetit të Ali Ahmetit, Artan Grubi, megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti ata nuk iu përgjigjën thirrjeve tona telefonike dhe sms-porosive.

Kujtojmë, më 24 shtator në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, janë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksojnë që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

Nëpërmjet një konference për shtyp të mbajtur më 27 dhjetor, funksionarët e pakënaqur të BDI-së deklaruan se nga 19 premtime zgjedhore, vetëm dy janë realizuar tërësisht – “zëvendëskryeministri shqiptar dhe negociuesi shqiptar për BE dhe NATO”, ndërsa pjesërisht janë përmbushur pesë. Kjo, sipas Izet Mexhitit, do të thotë se BDI tërësisht i ka realizuar vetëm 1,2 përqind të premtimeve, 2,9 përqind janë realizuar pjesërisht, 95,9 përqind nuk janë realizuar. Lidhur me projektet infrastrukturore, siç potencoi, për dy vjet prej 520 milionë eurosh vetëm 11 milionë euro janë investuar për “pesë projekte shqiptare, në mesin e të cilave aksi Kërçovë – Dibër”.

Megjithatë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një takim me bashkëpartiakët në Gostivar më 15 janar, u dërgoi porosi funksionarëve të “Grupit të Zjarrit” se nuk do ta largojë nga pozita zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, pasi siç deklaroi, për atë ka vendosur shumica në parti. Ai shtoi se funksionarët e pakënaqur nuk kanë hequr keq pasi që tërë jetën kanë pasur funksione.

Megjithatë, kjo porosi e Ahmetit nuk i ka zmbrapsur funksionarët e “Grupit të Zjarrit” që të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Ahmeti me ministrat dhe anëtarët tjerë të pushtetit ekzekutiv mbajnë tubime me qytetarët, ndërkaq paralelisht edhe “Grubi i Zjarrit” mban tubime me qytetarët nën logon e BDI-së.

Të fundit