Integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike si për Bullgarinë ashtu edhe për Greqinë, duke çuar në një Ballkan të qëndrueshëm, tha shefi i diplomacisë greke Nikos Dendias pas takimit në MPJ greke me homologen e tij bullgare Ekaterina Zaharieva, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe Bullgarisë shprehën mbështetje për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, por duke respektuar kushtet e përcaktuara.
“Edhe Bullgaria, edhe Greqia, janë faktorë stabiliteti dhe bashkë-zhvillimi në rajonin tonë. Ne jemi ndihmës në rrugën e fqinjëve tanë drejt Bashkimit Evropian, vendeve të Ballkanit, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, natyrisht, gjithmonë me kusht që të respektohen kushtet e përcaktuara. Integrimi i këtyre vendeve në Bashkimin Evropian është një zgjedhje strategjike si për Bullgarinë ashtu edhe për Greqinë, duke çuar në një Ballkan të qëndrueshëm”, tha Dendias.
“Është me rëndësi të madhe për sigurinë e të dy vendeve, por perceptimi i përbashkët është se ata duhet të kryejnë rreptësisht reformat dhe të ndjekin parimet e fqinjësisë së mirë,” tha Zaharieva.
Shefat e të dy diplomacive diskutuan gjithashtu për pandeminë, pasojat e saj dhe përpjekjet për t’u rikthyer në normalitet, kurse Zaharieva edhe në takimin me Micotakisin edhe me Dendiasin e ngriti çështjen e hapjes së një kalimi të dytë kufitar midis dy vendeve, përveç Promahonas.
Dendias tha se kryeministri grek i ka premtuar Zaharievës se do ta shqyrtojë çështjen konkrete.
Të dy ministrat gjithashtu u përqendruan edhe në aktivitetet e fundit të Turqisë, për Shën Sofje shefja e diplomacisë bullgare tha se “është monument i rëndësisë së madhe dhe simbolikë historike” ndërsa Denias theksoi se Greqia do të vazhdojë me aktivitetet për ngritjen e vetëdijes të bashkësisë botërore për çështjen konkrete.
Veprimet e Turqisë, si dhe pandemia ishin në fokus të takimit të ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, me kryetaren greke Katerina Sakelaropulu dhe me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis. sr/sn/