Çdo vit në botë rreth 1.35 milionë njerëz humbasin jetën në aksidente trafiku, ndërsa rreth 50 milionë njerëz lëndohen. Në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar në aksident trafiku humbën jetën 124 persona, ndërsa të lënduar mbetën 3.834, njoftoi Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) me rastin e Ditës Botërore të Përkujtimit të viktimave të aksidenteve në komunikacion, transmeton Portalb.mk.
Kjo ditë festohet që nga viti 1993 dhe në vitin 2005 OKB-ja e shpalli atë ditë botërore e cila festohet çdo të dielë të javës së tretë të nëntorit.
Të dhënat për vitin 2023 të KRSKRR-së thonë se deri në gusht numri i të vdekurve në aksidente trafiku në rrugët e Maqedonisë është 85, ndërsa numri i të lënduarve është 2.805 – që është dukshëm më pak në krahasim me katër vitet e fundit.
“Megjithatë, sipas vizionit botëror për zero fatalitete në trafik, të gjithë së bashku duhet të ndërmarrim veprime thelbësore për të rritur sigurinë në trafikun rrugor”, tha Këshilli.
Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave të Trafikut është një ditë kur institucionet dhe organizatat përkatëse nga e gjithë bota angazhohen për të kujtuar publikun për miliona njerëz që kanë humbur jetën ose janë lënduar në aksidente trafiku, për t’i përkujtuar ata, por edhe për të ndërgjegjësuar në mesin e shfrytëzuesve të rrugës për pasojat e aksidenteve të trafikut në mënyrë që të zvogëlohet numri i të vdekurve dhe të lënduarve.
“Kjo ditë u kushtohet edhe familjarëve të të vrarëve dhe të lënduarve në aksidente trafiku, si dhe të gjithë atyre që përballen me pasoja fizike apo psikologjike të aksidenteve në komunikacion, si dhe mirënjohje u jepet edhe shërbimeve mjekësore emergjente, zjarrfikësve dhe të gjithë stafit mjekësor, por edhe të gjithë aktorëve socialë që ofrojnë ndihmë për të lënduarit dhe familjet e personave të vdekur dhe të lënduar”, njoftoi KRSKRR.
Nga aty apelojnë drejtuesit e mjeteve që të drejtojnë me përgjegjësi dhe siguri dhe të japin kontributin e tyre në uljen e aksidenteve në trafik.