11/10/2024
19.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Detaje nga marrëveshja për tunelin e rrugës Tetovë-Prizren: Vetëm projektimi për ndërtimin e tij zgjat një vjet e gjysmë

“Kismet pas dy ose tre vjetësh do të udhëtojmë së bashku prej Prizrenit në Tetovë, ashtu veç për kafe”, kështu i tha kryeministri Albin Kurti më 13 nëntor të vitit 2021 në një video propaganduese për zgjedhjet lokale në Kosovë, kandidatit të atëhershëm për Komunën e Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ia ktheu “për kafe, bozë dhe bakllavë”. Udhëtimi i planifikuar i Kurtit me Haskukën, vazhdon të mbetet dëshirë e shumë qytetarëve të Kosovës, por edhe të RMV-së të cilëve BDI ua premton në çdo proces zgjedhor. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar të këtij viti, vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026. Qeveria e RMV-së duhet ta miratojë marrëveshjen në seancë qeveritare, pasi të njëjtën e bëri paraprakisht Kosova, shkruan Portalb.mk.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikon ekskluzivisht.

Marrëveshja mban titullin “Marrëveshje për bashkëfinancim për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Jetësor dhe Infrastrukturës të Republikës së Kosovës”.

Marrëveshja, ka gjithsej 8 nene dhe është e nënshkruar në shqip, maqedonisht dhe anglisht, nëse ka mospërputhje, versioni primar është ai anglisht.

Në marrëveshjen, nuk ka të dhëna për vlerën e tunelit, ndërkaq për mosmarrëveshjet eventuale mes dy vendeve, nuk parashihen penale, por mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në mënyrë miqësore nëpërmjet konsultimit.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova pajtohen që financimi i projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë – Prizren të jetë në vlerë proporcionale sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë dhe pas tunelit do të financohet nga pala përkatëse.

Në lidhje me detyrimet financiare të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, në nenin 3 thuhet se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të RMV-së përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore do të sigurojë mjete në vlerë proporcionale për pjesën e tunelit që është në pjesën e RMV-së, nga shuma e përgjithshme për realizimin e këtij projekti. Këto mjete, thuhet në marrëveshje, janë të paraparë në programin vjetor të punës së Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, për të cilën pëlqimin e jep Qeveria e RMV-së.

Për mënyrën e zbatimit të përzgjedhjes së operatorit për përzgjedhjen e dokumentacionit projektues, në nenin 4 thuhet se do të formohet grup punues i cili do t’i përcaktojë rregullat për zbatimin e aktit për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për përgatitjen e dokumentacionit të projektit.

“Grupi i punës do të ketë 10 anëtarë, nga 5 nga secila palë, i cili do të përcaktojë procedurat dhe rregullat për përzgjedhjen e operatorit ekonomik, të cilat do të miratohen nga të dyja qeveritë. Projekt programi për zbatimin e procedurës për zgjedhjen e operatorit për përgatitjen e dokumentacionit të projektit do të përgatitet nga Fakulteti i Ndërtimtarisë Shkup dhe do të miratohet nga të dyja ministritë”, thuhet në nenin 4 të marrëveshjes.

Sipas këtij neni, për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren parashihet të jetë në afat prej 18 muajsh dhe do të përcaktohet me marrëveshje të lidhur me operatorin ekonomik (projektuesin).

Në nenet vijuese 5 dhe 6, janë të përkufizuara obligimet e të dy shteteve, gjegjësisht Kosova ka obligim që mjetet me autorizim të Qeverisë së Kosovës, do t’i transferohen buxhetit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore të cilat do të përdoren si bashkëfinancim në realizimin e projektit.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës do të ketë rol monitorues në përzgjedhjen e operatorit për përgatitjen e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit në lidhje me rrugën Tetovë-Prizren dhe do të monitorojë realizimin e projektit nëpërmjet përfaqësuesve të autorizuar”, thuhet në nenin 5.

Nga ana tjetër, sipas nenit 6, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të RMV-së e mbikëqyr realizimin e përgatitjes së projektit për ndërtimin e tunelit.

Për mosmarrëveshjet që lindin mes palëve gjatë interpretimit ose zbatimit të kësaj marrrëveshje, sipas nenit 7-të do të zgjidhen në mënyrë miqësore midis dy palëve përmes konsultimit të ndërsjellë.

Marrëveshja është nënshkruar nga zv.ministri i Transportit dhe Lidhjeve të RMV-së, Bekim Rexhepi dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu.

Marrëveshjen e plotë mund ta lexoni më poshtë:

BDI e premton në 4 procese zgjedhore rrugën Tetovë-Prizren

Portalb.mk, në shkrimet e mëparshme ka bërë përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet.

Rruga në fjalë do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, por partia shqiptare në pushtet, BDI nuk ka arritur që ta jetësojë këtë projekt me rëndësi të madhe për Kosovën dhe RMV-në.

Portalb.mk, në shkrimet e mëparshme ka bërë përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet:

  • 2011

Programi “Bashkë drejt qëllimit”, 2011

“Rruga Tetovë-Prizren. Studim fizibilitet për të analizuar mundësinë e një rruge të re që mund të lidhë këto dy vendbanime dhe arsyeshmërinë ekonomike”.

  • 2014

Programi zgjedhor 2014

Rruga Tetovë-Prizren. Studimi i parë i fizibilietit për këtë rrugë ka përfunduar. Bazuar në rezultatet e studimit do të shqyrtohen alternativat më të arsyeshme ekonomike, në bashkëpunim me Kosovën

  • 2016

Zgjedhje 2016 – Në programin parazgjedhor të BDI-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, në pjesën “Transport” (faqe 3), është premtim i dhënë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

  • 2020

Programi i BDI-se zgjedhje parlamentare 2020:

Rruga Tetovë – Prizren. Ky projekt do të jetë në vlerë prej 40 milion-60 milion euro, mjete që do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe Banka Botërore. Realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonës, shkëmbimin tregtar në mes dy vendeve, qasjen më të shpejtë për dalje në det (porti i Lezhës dhe i Durrësit), zhvillimi i turizmit në Kodrën e Diellit, etj.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Më 16 gusht të vitit, ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Alium, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, e ka vizituar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin, mes tjerash ka folur edhe për rrugën Tetovë-Prizren. Vizita e ministrit Aliu erdhi vetëm disa ditë pas vizitës së kryeministrit Albin Kurtit në Shkup dhe Tetovë, ku ai u takua vetëm me përfaqësuesit e opozitës shqiptare. Gjatë vizitës në Tetovë, Kurti vizitoi fshatin Vicë ku foli për rrugën që duhet të çojë për në Prizren, por nëpërmjet këtij fshati nuk do të shtrihet traseja e zgjedhur nga Qeveria, pasi që rruga parashikon të nis nga Tetova, nëpërmjet Kodrës së Diellit, Shipkovicës dhe mbaron në Brodec.

Të fundit