Të tjera lajme

DHUNA MES TË MITURVE – DY RASTE TË RËNDA TRONDITËN SHKUPIN

Dy raste të rënda të dhunës mes të miturve kanë alarmuar opinionin publik në vend. Një vajzë 12-vjeçare u sulmua nga bashkëmoshatarët në Aerodrom, ndërsa një 14-vjeçar në Çento përfundoi i therur shtatë herë me thikë. Të dyja rastet kanë nxitur reagime dhe kanë hapur sërish debatin për sigurinë e fëmijëve dhe përgjegjësinë e institucioneve.

Rasti i dhunës në Aerodrom po merr epilogun e tij ligjor. Vajza 12-vjeçare, e cila u sulmua nga një grup adoleshentësh në njw park nw Lagjen Aerodrom tw Shkupit, pas incidentit është kontrolluar nga mjekët, ndërsa ndaj dy të miturave do të ngrihen kallëzime penale për veprën “dhunë”. Përgjegjësi penale do të kërkohet edhe për prindërit e tyre, për shkak të neglizhencës në përkujdesjen ndaj fëmijëve.

Policia ka marrë në pyetje tri vajzat e përfshira në incident, djalin që ka filmuar ngjarjen, si dhe dy të mitur të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve. Të gjithë janë intervistuar në prani të prindërve.
Rasti në Aerodrom ka rikthyer në qendër të vëmendjes fenomenin e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm nga fillimi i këtij viti janë regjistruar 93 incidente në 64 shkolla të vendit.

Për të parandaluar raste të ngjashme, Ligji për Arsimin Fillor, i cili ndodhet në procedurë parlamentare, parasheh gjoba prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë ndaj nxënësve të tjerë në shkollë.

Ndërkohë, një tjetër rast i rëndë është regjistruar në Hasanbeg. Një 14-vjeçar u sulmua brutalisht pasi kishte dalë për t’u takuar me shokët në një park. Sipas familjes, në vend të tyre ai u përball me tre persona të rritur, të cilët fillimisht e rrahën dhe më pas e goditën shtatë herë me thikë, duke e lënë të plagosur rëndë.

Nëna e të miturit thotë se djali nuk kishte pasur asnjë konflikt me askënd dhe se familja vazhdon të jetojë në frikë. Ajo shpreh dyshimin se fillimisht ka pasur përpjekje për ta minimizuar rastin.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmojnë se rasti është nën hetim dhe se po ndërmerren të gjitha veprimet për identifikimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve.

Dy raste të rënda brenda pak ditësh janë një tjetër sinjal alarmi për rritjen e dhunës mes të rinjve, duke shtuar thirrjet për masa më të ashpra parandaluese, përgjegjësi më të madhe të prindërve dhe reagim më të shpejtë të institucioneve.

Të fundit