23/05/2024
11.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Distancë e madhe” ndërmjet pushtetit dhe opozitës për ndryshimet kushtetuese

Ishin ditë të ngjeshura me takime dy ditët e qëndrimit në Maqedoninë e Veriut të të dërguarit special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në Shkup ai bisedoi me politikanët vendorë për procesin e integrimeve evropiane të vendit, situatat në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend. Në takimin me kryeministrin Dimitar Kovaçevski i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor,

Manuel Sarrazin ka theksuar përkrahjen e fuqishme të Gjermanisë për proceset eurointegruese të vendit. Sipas Sarrazin, Maqedonia e Veriut është duke ecur në rrugën e duhur për t’u anëtarësuar në BE. Ai ka shprehur optimizëm se të gjitha partitë politike do të bashkohen dhe do të punojnë së bashku në procesin e reformave që i siguron RMV-së anëtarësim më të shpejtë në BE.

VMRO-DPMNE VAZHDON TË JETË KUNDËR NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE

Ofensiva diplomatike nuk ndryshon qëndrimin e VMRO- DPMNE-së lidhur me mbështetjen e mundshme të ndryshimeve kushtetuese. I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin në takimin me deputetët e opozitës maqedonase ka folur për domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese më së voni deri në vjeshtë. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski e ka informuar diplomatin e lartë gjerman se deputetët e opozitës nuk e ndryshojnë qëndrimin e tyre. Sipas disa sondazheve të opinionit, 85% e maqedonasve janë kundër ndryshimit të Kushtetutës, kanë përmendur deputetët opozitarë sondazhet për Sarrazin. “Tridhjetë vjet Maqedonia ka bërë lëshime, tridhjetë vjet kemi emisarë nga shumë vende evropiane, të cilët gjithmonë pretendojnë se kjo është kërkesë e fundit që duhet të përmbushet. Shumë lëshime të tilla janë bërë, por premtimet e bëra nuk janë përmbushur”, ka thënë Antonio Milloshoski. Sipas tij kjo përbërje parlamentare nuk ka mandat apo legjitimitet demokratik për të hapur apo ndryshuar Kushtetutën.

OPOZITA NUK MUND TË ARSYETOJË BLLOKIMIN E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE

Nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, kjo do ta çojë vendin në izolim dhe mund të rezultojë që Maqedonia e Veriut të mos integrohet në BE për shumë dekada të tjera, ka theksuar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Sipas Osmanit, opozita nuk mund të argumentojë para qytetarëve pse po e bllokon të ardhmen evropiane të vendit duke u shprehur kundër ndryshimit të Kushtetutës. Vendimet e rëndësishme për fatin e vendit nuk duhet të merren nën presion , ka theksuar Osmani, që është i bindur, se politikanët vendas janë mjaft të pjekur për të kuptuar rëndësinë e vendimeve që marrin. “Sigurisht se bashkësia ndërkombëtare ka ndihmuar në komunikim, në paraqitjen e skenareve të ndryshëm, varësisht prej vendimeve tona, por përkujtoj se pas fillimit të debatit publik, qytetarët do ta kuptojnë qartë se për çfarë bëhet fjalë me këto ndryshime kushtetuese”, vlerëson Osmani.

Andreja Stojkovski nga Instituti i Prespës vlerëson se procesi i anëtarësimit në BE nuk do të vijojë pa probleme. Megjithatë ai shton, se ndryshimet kushtetuese janë kushti i vetëm për mbajtjen e Konferencës së dytë ndërqeveritare RMV-BE, pas së cilës duhet të fillojë hapja formale e kapitujve. “Kur bëhet fjalë për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare, aty thuhet qartë se ajo do të ndodhë menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Pengesa të tjera nga Sofja nuk do të ketë”, thotë Stojkovski.

NDRYSHIMET KUSHTETUESE, POLITIKISHT TË VËSHTIRA

SHBA-ja e mbështet Maqedoninë e Veriut për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat ndoshta duken të vogla, por politikisht janë shumë të vështira, deklaroi dje Derek Shole, këshilltar i Departamentit të Shtetit në seancën dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në Komitetin për punë të jashtme të Senatit. Shole e dha këtë përgjigje në pyetjen e senatorit demokrat nga Konektikati, Kris Marfi: “Më tregoni pak për atë se cilat janë përfitimet që do t’i merrte Maqeodonia e Veriut me hyrjen në BE? Pse është me të vërtetë e rëndësishme për ata disi t’i zgjidhin dallimet e tyre me Bullgarinë që të mund të hyjnë në Bashkimin Evropian?“ “Ata duhet të marrin disa vendime të vështira të ndryshimeve kushtetuese, të cilat kërkohen që të bëhen prej tyre. Ata janë të gatshëm t’i bëjnë ato ndryshime, por politika është vështirë. Dhe ajo që duhet ta dëgjojnë nga të gjithë ne është mbështetja jonë që t’i bëjnë këto ndryshime, që do të dukeshin të vogla, por politikisht janë mjaft të vështira, e kjo do të ndihmojë që të zhbllokohet faza e ardhshme e procesit të tyre për aderim në BE”, u përgjigj Shole.

Shtoi se Maqedonia e Veriut është partner i shkëlqyer, aleat i NATO-s dhe lider rajonal. “E mbështesim fuqishëm integrimin e mëtutjeshëm të plotë evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Sërish, ata janë aleatë të shkëlqyer të NATO-s. Korrikun e kaluar e kanë hapur procesin e tyre aderues me BE-në që e mbështesim fuqishëm”, theksoi ai. Për mbështetjen e SHBA-së për integrimin e rajonit në BE foli edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar. Tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë aleatë të fuqishëm të NATO-s dhe partnerë të dobishëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Që t’i vazhdojë aspiratat e veta ndaj BE-së, Maqeodnia e Veriut është e përkushtuar të sjellë ndryshime kushtetuese për njohjen e pakicës serbe. E mbështesim fuqishëm këtë hap të rëndë, por të domosdoshëm”, deklaroi Eskobar.

Ai tha se Maqedonia e Veriut është vend që ka bërë gjithçka që nevojitet për të kaluar në hapin e ardhshëm dhe shtoi se sipas tij e meriton hapin e ardhshëm. “Dhe mendoj se të gjthë, edhe në kuadër të Bashkimit Evropian edhe në strukturat politike të Maqedonisë së Veriut, duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që kjo të ketë sukses”, shtoi ai. Eskobar tha se nuk kërkohet nga opozita që të mbështetet kryeministri, por rruga euroatlantike e Maqedonisë së Veriut. “Kjo është marrëveshja më e mirë që e kemi marrë. Ai është i kuptueshëm, mendoj deri më tani dhe duhet të ecim përpara sa më shpejt që është e mundur. Për këtë, shpresoj se të gjitha palët e spektrit politik i mbështesim ndryshmet e nevojshme që të mundemi të ecim përpara në avancimin e kandidaturës të Maqedonisë së Veriut”, theksoi ai.

Edhe Shole edhe Eskobar kanë folur për korrupsionin në rajon dhe për sanksionet e SHBA-së për përballjen me të. “Ne jemi vazhdimisht në shënjestër dhe po punojmë me aleatët dhe partnerët tanë, dhe po koordinojmë përpjekjet tona për sanksione. Pra, kjo është diçka që mendojmë se është mjet i rëndësishëm. Por ky nuk është mjeti i vetëm që kemi për të luftuar korrupsionin”, tha Shole. Sipas tij, zyra e koordinatorit kundër korrupsionit të Departamentit të Shtetit, Riçard Nefju, po shqyrton projekte kundër korrupsionit në rajon.

Në pyetje u diskutua edhe për Ballkanin e Hapur, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ballafaqimi me ndikimin e Kinës dhe Rusisë, dezinformatat dhe nevojën për diversifikimin e tregut të energjisë. “Ne jemi dakord që diversifikimi i energjisë, si dhe transformimi nga lëndët djegëse fosile në burime të rinovueshme, është prioritet kyç për këtë administratë”, tha Escobar. Ai përsëriti për investimet në energji në Shqipëri dhe në pjesë të tjera të rajonit. “Ne besojmë se vendet po përfundojnë marrëveshje që do të ndihmojnë në diversifikimin e burimeve të tyre të energjisë larg Rusisë dhe ne e mbështesim këtë. Do ta mirëpresim mbështetjen shtesë nga qeveria amerikane për të gjitha ato përpjekje”, tha Eskobar.

Të fundit