04/05/2024
9.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dita Botërore e Shëndetit: Oda e Mjekësisë së RMV-së kërkon t’i jepet fund linçimit të paargumentuar të mjekëve

Oda e mjekëve, përmes një komunikate me rastin e 7 prillit, Ditës Botërore të Shëndetësisë, kërkon gjetjen e mekanizmave për rishpërndarjen e kuadrit ekzistues mjekësor, pasi që përqendrimi më i madh i mjekëve është në Shkup. Ata bëjnë thirrje gjithashtu për politika më të thjeshta punësimi në shëndetin publik dhe ndalimin e linçimit të mjekëve, pa argument, transmeton Portalb.mk.

Sipas Regjistrit të licencave të punës të lëshuara, të zgjatura dhe të rinovuara, në vend janë 9520 licenca aktive mjekësore që lëshohen me afat vlefshmërie 7-vjeçare, pas së cilës rinovohen në përputhje me kushtet ligjore. Vitin e kaluar provimin profesional e kanë dhënë 435 doktorë të mjekësisë dhe kanë marrë për herë të parë licencë pune.

“Tendenca e migrimit të mjekëve është prezente, por për ne problem më i madh është se kemi një përqendrim të një numri të madh të mjekëve në Shkup. Nëse gjenden mekanizma për rishpërndarjen e kuadrit ekzistues, do të përmirësohej ndjeshëm disponueshmëria e shërbimeve mjekësore në të gjithë vendin. Presion serioz për periudhën e ardhshme është edhe struktura moshore e mjekëve që punojnë, veçanërisht në segmente të caktuara të sistemit shëndetësor. Për të mbajtur mjekët në vendin tonë, është veçanërisht e rëndësishme thjeshtësimi i politikës së punësimit në shëndetin publik. Është e nevojshme që menjëherë pas përfundimit të shkollimit të krijohen kushte punësimi për mjekët e rinj, të cilat do t’u garantojnë atyre të ardhura të mira, por edhe do të lehtësojnë kushtet për specializim, për të cilin janë bërë disa ndryshime pozitive, por procesi ende nuk ka përfunduar”, thuhet në njoftimin e Odës së Mjekësisë.

Nga aty shtojnë se është e një rëndësie të madhe për shëndetin e pacientëve, punën e mjekëve dhe për funksionimin e sistemit në përgjithësi, që të ndalet linçimi dhe dënimi publik i mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë pa asnjë argument për këtë.

“Mjekët e kryejnë detyrimet me përkushtim dhe bëjnë çmos që të ofrojnë shërbim shëndetësor cilësor sipas kushteve të punës në dispozicion dhe të luftojnë sinqerisht për jetën e çdo pacienti. Humbja e një pacienti është goditje e rëndë për çdo mjek, e cila nuk mund të tejkalohet kurrë plotësisht. Gjithashtu duhet pasur parasysh se kushtet shëndetësore në raste të caktuara mund të jenë shumë të komplikuara, sëmundjet mund të mos shfaqen me simptoma tipike dhe përgjigja që jep trajtimi mund të mos jetë ashtu siç pritej”, thonë nga Oda.

Oda e Mjekësisë mbështet thirrjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të rregulluar çështjen me punonjësit e shëndetësisë dhe për ta bërë këtë problem një prioritet strategjik. Sipas vlerësimeve të OBSH-së, deri në vitin 2030 pritet që në mbarë botën të ketë mungesë prej 10 milionë punonjësish shëndetësorë dhe ky problem do të jetë veçanërisht i theksuar në vendet në zhvillim.

Të fundit