Zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës dhe njëherësh kryesues i Grupit të Punës për Riemërtimin e Rrugëve, Albi Qamili, ka njoftuar se është përmbyllur mbledhja e dytë e grupit të punës, ku është konfirmuar pjesa e parë e listës së emrave të propozuar për rrugët e qytetit, raporton Zyrtare.
Sipas Qamilit, lista përfshin emra të figurave të njohura kombëtare shqiptare, si Skënderbeu, Nënë Tereza, Vëllezërit Frashëri, Ismail Kadare dhe Migjeni, të cilët pritet të emërtojnë disa nga rrugët e Tetovës.
Ai bëri të ditur se në propozim janë përfshirë edhe personalitete që kanë dhënë kontribut të veçantë në jetën kulturore, arsimore dhe sportive të Tetovës, mes tyre shkrimtarët Murat Isaku dhe Abdylazis Islami, dirigjenti Gani Jahja, si dhe futbollisti Haqim Memedi.
Qamili theksoi gjithashtu se rrugët në lagjet ku jetojnë qytetarë të komunitetit maqedonas nuk do të mbajnë më emra të periudhës jugosllave, por do të emërtohen sipas figurave të historisë dhe kulturës maqedonase, si Kërste Petkov Misirkov dhe personalitete të tjera.
“Me këtë fillojmë zgjidhjen e një çështjeje të lënë pas dore prej vitesh, për të cilën ne si udhëheqësi kemi punuar për një kohë të gjatë”, ka shkruar Qamili.
Procesi i riemërtimit të rrugëve pritet të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme, ndërsa propozimet do t’i nënshtrohen procedurave përkatëse për miratim.








