Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, për një periudhë më të gjatë nuk ishte paraqitur në vendin e punës, ndërsa dje njoftoi se ka paraqitur dorëheqje nga funksioni. Në dorëheqjen e drejtuar kryeministrit, ai shprehu mirënjohje për besimin e dhënë, por shtoi se në rrethanat aktuale nuk ekzistojnë më kushtet e nevojshme që detyrën ta ushtrojë me efikasitetin e kërkuar dhe, për këtë arsye, po tërhiqet nga posti.
Në letrën e dorëheqjes drejtuar Kryeministrit, që e ka publikuar edhe në Facebook, Arben Fetai, ka shprehur falënderim për besimin e dhënë që ta kryejë detyrën e Zv/Kryeministrit për Qeverisje të mirë, duke shtuar se në rrethanat aktuale tashmë nuk ekzistojnë kushte të domosdoshme që funksionin ta kryejë me efikasitet të nevojshëm dhe për këtë arsye tërhiqet nga detyra.
“A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po. Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze” – thuhet në letrën e dorëheqjes së Arben Fetait.
VLEN përmes një komunikate ka respektuar vendimin e tij duke falënderuar Arben Fetain për angazhimin dhe kontributin.
“Në ushtrimin e kësaj detyre me përgjegjësi, Fetai tregoi seriozitet, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj parimeve të qeverisjes së mirë, llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale” – thonë nga VLEN.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai prej një periudhe më të gjatë nuk paraqitej në vendin e punës, ndërsa sipas informacioneve të periudhës së kaluar, aktivitetet e tij të fundit publike në cilësinë e funksionarit datojnë që nga muaji mars.
Në prill të këtij viti, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Fetai personalisht i kishte bërë të ditur se në të ardhmen nuk e sheh veten në qeverinë që ai drejton dhe se planifikon të rikthehet në Bruksel, ku më herët ka pasur edhe përvojë profesionale.
Kjo erdhi pasi më parë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, gjatë një intervistë, tha se kolegu i tij në Qeveri dhe bashkëpartiaku në VLEN, gjatë periudhës së fundit nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Qeverisë./Tv Koha/







