Deri sa qytetarët në Maqedoninë e Veriut po përballen me probleme të shumta e të përditshme, partitë shqiptare kanë zgjedhur temën e Rusisë për t’u “përplasur” mes vete në distancë në fushatën e cila edhe pse nuk ka filluar zyrtarisht, megjithatë po mer hov gjithnjë e më shumë. Rusia është bë temë qendrore e debatit politik, deri sa qytetarët çdo ditë përballen me thellim të varfërisë, largim të rinisë jashtë vendit, rënie të ekonomisë në shumë sektorë të saj, si dhe probleme tjera.
Korrupsioni lulëzon, vazhdon rënia e besimit tek gjyqësori, tenderët e dyshimtë shothen edhe më tej dhe këto do të mund të ishin temat e radhës ku do të duhej të vendoset fokusi, e jo i gjithë potenciali të harxhohet me “Rusinë”, kur e dimë se ka kush e lufton Rusinë, e jona është që të zhvillojmë demokracinë.
Vlen e shpall të “pavlefshëm” proamerikanizmin e BDI-së
Opozita shqiptare theksin mes tjerash e vendos tek takimi i kandidatit të BDI-së për president Bujar Osmani në cilin e ministrit të jashtëm të RMV-së me ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov në samitin e OSBE-së, në Shkup. “Është pikërisht kandidati për president i BDI-së, ministri i Jashtëm Bujar Osmani, i cili si bedel i Ali Ahmetit ishte njeriu që negocioi me Nikolla Gruevskin në Budapest për kthimin e tij, ndërsa ai vetë u bë edhe nikoqir i ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Llavrov, duke u bërë i pari dhe i vetmi që ia ka hapur dyert Rusisë për të defiluar në Europë pas agresionit të saj në Ukrainë. Proamerikaznimi i rremë i BDI-së e ka emrin “Sergej Llavrov mysafir i Bujar Osmanit”, akuzon VLEN.
Sipas opozitës, sa më shumë që kalon koha gjithnjë e më shumë po bindemi se slogani i BDI-së, “Po Europës – jo Rusisë”, në vete fsheh një frikë nga droja e zbulimit të lidhjeve të vërteta ruse të Bashkimin Demokratik për Integrim.
“Duke dashur të shtiren sa më perëndimorë dhe më proamerikanë, duket se ata i ka tradhtuar nënvetëdija, ashtu që në sloganin e fushatës e kanë projektuar realitetin e asaj që fshihet nën emrin BDI. Opinioni e di fare mirë, por vetëm po ia rikujtojmë se pikërisht eksponentë të lartë të kësaj partie janë persona të dyshuar për lidhje me qarqe antiamerikane dhe për këtë ka fakte të prekshme. Është kryetari i Strugës, kuadër i BDI-së, Ramiz Merko, i cili është futur në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit dhe abuzimit me drejtësinë. Por, nuk është vetëm ai. Ish kryetarja e Komunës së Tetovës dhe nënkryetarja e deridjeshme e BDI-së, Teuta Arifi, vazhdon të mbahet mend si bashkëpunëtore e biznesmenit me lidhje ruse, Daka Davidoviq, që po ashtu është në listën e zezë amerikane.
Madje, sipas informacioneve tona, Teuta Arifi është refuzuar për ambasadore në SHBA dhe në Bruksel pikërisht për shkak të këtyre vjegëzave. Në listën e zezë amerikane vazhdon të jetë edhe Menduh Thaçi, bashkëpunëtori i ngushtë i Ali Ahmetit. Gjykuar nga kjo që u tha më sipër, mund të konkludojmë se nuk ka provë më të mirë se BDI-ja po i humb zgjedhjet sesa teza e tyre e dëshpëruar se zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit të këtij viti janë zgjedhje ku qytetarët duhet të zgjedhin mes Amerikës dhe Rusisë. E vërteta është se në këto zgjedhje qytetarët duhet të përcaktohen mes koalicionit proeuropian VLEN dhe elitës së korruptuar të BDI-së që NUK VLEN për asgjë, sepse tashmë 20 vjet po i mban peng shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq, narracioni me gogolin rus më shumë flet shërben si një tregues tjetër simptomatik se BDI-ja po përgatit një krizë politike për ta parandaluar njohjen e disfatës së sigurt zgjedhore. Sidoqoftë, krejt këto ëndrra perëndojnë më 8 maj në mbrëmje dhe nga 9 maji nuk u bën më dobi as propaganda e shtrenjtë mediale e as llafologjia boshe properëndimore”, thekson opozita shqiptare në kumtesën e fundit.
BDI e “shqetësuar” se opozita po “koordinohet” me Levicën dhe VMRO-DPMNE-në
Bdi shprehet e shqetësuar nga akuzat e opozitës, e madje në këto akuza sheh edhe koordinim të koalicionit VLEN me Levicën dhe VMRO-DPMNE-në, shkruan Zhurnal. “Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të madh po përcjell akuzat, shpifjet dhe fyerjet që opozita i bën kandidatit për president Bujar Osmani, si dhe ndaj kryeministrit Talat Xhaferit, ndërsa alarmon për skenar rus që synon trazira politike pas 8 majit.
Të koordinuar bashkë me VMRO-DPMNE-në e Mickoskit dhe LEVICËN e Apasievit, si dhe në mungesë të Programit zgjedhor, koalicioni VLEN ka përforcuar shpifjet ndaj Bujar Osmanit dhe Talat Xhaferit, ndërsa nuk po i kursejnë edhe familjarët e zyrtarëve, gjë që po shqetëson edhe qytetarët, por është njoftuar edhe faktori ndërkombëtar në vend. Ftojmë opozitës si shqiptare ashtu edhe atë maqedonase, të zhvillojnë fushatë në pajtim me vlerat europiane dhe demokratike, pasi çdo gjë kundër, do të thotë largim nga Bashkimi Europian dhe afrim me Moskën e Putinit”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia e Ahetit përshëndet vendimin e OSBE-ODIHR që zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit t’i përcjellin me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër, pasi “vlerësojmë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit – atë “PO Europës, JO Rusisë”. “Sigurojmë opinionin se BDI, njëjtë sikurse edhe vitet tjera, do të organizojë zgjedhje të lira, demokratike dhe të pranuara ndërkombëtarisht, ndërsa tentimet e opozitës për të shkaktuar krizë do të marrin përgjigjen e merituar më 8 maj – kur do të vuloset përfundimisht humbja e tyre”, .
Për cilat tema përplasen partitë maqedonase?
“LSDM ka një vizion të qartë për vendin si shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe ne kemi një plan të qartë se si ta bëjmë atë. Ne jemi partia që siguruam statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, dhe anëtarësimin në NATO dhe fillimin e negociatave me BE e siguruam pas 17 vitesh pritje”, tha Dimitar Kovaçevski për “Sloboden Peçat”.
“Në anën tjetër, VMRO nuk ofron ndonjë plan për progres të qartë në integrimet evropiane, përkundrazi dëgjohen deklaratat e tyre ku thonë se nuk duhet të anëtarësohemi për njëqind vjet, e ndoshta asnjëherë. Kjo tregon se ata po vazhdojnë politikën e Nikolla Gruevskit, ish-kryetarit të tyre, duke qenë se këto janë të njëjtat qëndrime që kemi dëgjuar në atë kohë. Me ta, Maqedonia e Veriut do të kthehet në dhomat e pritjes dhe në të kaluarën e errët të proceseve jodemokratike”, shtoi ai.
Kurse nga VMRO-DPMNE akuzojnë kandidatin për president të mbështetur nga LSDM, Stevo Pendarovski, se ka amnistuar një kriminel. Nga kjo parti kanë publikuar disa fotografi të Pendarovskit bashkë me disa figura, emrat e të cilëve lakohen për lidhje me nëntokën. “Çfarëdo që të thotë Stevo Pendarovski, ai hedh poshtë fjalën. Në vitin 2019 ai premtoi se nëse nuk ka drejtësi, nuk do të ketë qetësi. Ai premtoi se ata që kanë kryer krime do të mbajnë përgjegjësi pa dallim. Ai tha se nga pozita e presidentit nuk i shkonte ndërmend të amnistonte kriminelët. Jo që nuk e mbajti fjalën, por amnistoi një person, që sipas mediave është lider i një karteli të drogës në Shkup përgjegjës për vrasje mafioze dhe tregti të paligjshme të drogës. Nëse kjo nuk është një nga format më të rënda të krimit, atëherë Stevo Pendarovski ka problem real me perceptimin”, thuhet mes tjerash në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Në fund të njoftimit, VMRO-DPMNE akuzon Pendarovskin për mungesë të përgjigjeve dhe fshehjen nga publiku për dy javë, duke e cilësuar si një shkelje të dinjitetit të popullit dhe shtetit të Maqedonisë. Ata e përshkruajnë kohën për ndryshime të menjëhershme. Ky skandal ka potencialin për të përkeqësuar imazhin dhe integritetin e Presidentit Pendarovski./Zhurnal