27/04/2024
10.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

(VIDEO) Taravari fton kundërkandidatët në debat publik për emigrimin e të rinjve

Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Siç kam paralajmëruar tanimë në disa paraqitje televizive, do t’i shfrytëzoj javët në vijim deri në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, për t’i dëgjuar dhe konsultuar qytetarët rreth prioriteteve që do t’i shtyj përpara si President i ardhshëm i vendit.

Ramazani është një muaj reflektimi, ku duke u fokusuar në besimin tonë, duhet të forcojmë ndjenjat e solidaritetit dhe mbështetjes në komunitetin tonë, duke diskutuar si mund të punojmë së bashku për t’i tejkaluar sfidat që na prekin si shoqëri.

Dhe ku ka sfidë më të madhe për shoqërinë tonë dhe familjet tona sesa plaga e emigrimit që ndan familjet dhe na largon nga më të dashurit tanë?

Vetëm gjatë periudhës 2011-2019, sipas burimeve qeveritare, nga Maqedonia e Veriut janë larguar 700.000 qytetarë, apo çdo i katërti qytetar. Këto të dhëna janë konfirmuar me regjistrimin e popullsisë të vitit 2021, ku, për shembull, Gostivari im del se ka humbur 36% të popullatës. Pra, për dy gostivaras në vendlindje, kemi një në mërgatë.

Ky trend është rritur tejmase gjatë 5 viteve të fundit. Sipas disa të dhënave të publikuara nga Instituti Arbën Xhaferi, vetëm në vitin 2021 dhe 2022, 85.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë larguar drejt Gjermanisë, kryesisht njerëz të rinj dhe të kualifikuar. Pra, jemi duke humbur me shpejtësi të hatashme pjesën më vitale të shoqërisë sonë, me pasoja afatgjata për fuqinë punëtore, për zhvillimin dhe për perspektivën ekonomike të vendit.

Kjo murtajë duhet ndalur sa nuk është bërë vonë. Duhet vepruar tani duke diskutuar bashkërisht se si do t’i qasemi këtij problemi ekzistencial të vendit tonë.

Me këtë qëllim, do të organizoj një tribunë publike mbi temën e parandalimit të emigrimit. Tribuna do të mbahet të shtunën, ora 12.00, në Komunën e Tetovës.

Shfrytëzoj rastin t’i ftoj publikisht të gjithë kandidatët për president që të marrin pjesë në këtë tribunë, e cila trajton një temë që vërtetë i tangon qytetarët. ⁠Urdhëroni, ju ftoj të diskutojmë mbi këtë temë prioritare për të gjithë ne dhe pres që secili kandidat t’i përgjigjet ftesës pozitivisht.TV KOHA

Të fundit