12/07/2024
33.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Durmishi paralajmëroi revizion në Ministrinë e Ekonomisë nga viti 2015: Të shohim si është punuar nga pushteti paraprak

Në Ministrinë e Ekonomisë do të kryhet revizion që nga viti 2015 e këndej për të parë se si ka punuar pushteti paraprak. Këtë mes tjerash sot e njoftoi ministri i ri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Do të parashtrojmë kërkesë në Entin Shtetëror të Revizionit për revizion të plotë të funksionimit të Ministrisë së Ekonomisë duke filluar nga viti 2015, kur është kryer për herë të fundit revizion i plotë i funksionimit të Ministrisë nga Enti Shtetëror i Revizionit. Qëllimi i këtij revizioni është që ne, por edhe i gjithë opinioni të shohim se si është punuar në kohën e pushtetit paraprak”, tha Durmishi.

Durimishi duke folur për angazhimin e tij në krye të kësaj ministrie paralajmëroi se do krijojnë masa dhe politika për ringjalljen e ekonomisë së shtetit dhe përmirësimin e të drejtave të punëtorëve.

“Fokusi kryesor do të jetë: rritja e mbështetjes së industrisë, krijimi i masave për kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme, rritja e konkurrentësisë së biznesit, tregu i brendshëm, tregtia, si dhe mbështetja e punëdhënësve, krijimi i masave dhe politikave për punësim, përmirësimi i tregut të punës dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve”, tha Durmishi.

Në fushën e investimeve ai tha se do mbështesin financiarisht investimet për kompanitë vendore dhe të huaja. Ndërsa në fushën e konkurrencës së kompanive ai tha se do të mbështesin të njëjtën, transformimin e gjelbër dhe digjital të industrisë, ekonomi cirkulare dhe bashkëpunim intensiv me akademinë për transferimin e njohurive, hulumtimit dhe zhvillimit dhe inovacioneve.

“Do të jemi zëri kryesor i biznesit në Qeveri për të transmetuar kërkesat, nevojat dhe prioritetet e tyre në mënyrë që të krijojmë kompani më konkurrente, ekonomi më konkurrente, e si rrjedhojë edhe investime të reja që do të krijojnë vende të reja pune”, tha Durmishi.

Ai paralajmëroi se në përputhje me programin e Qeverisë, përmes Agjencisë së punësimit, e cila tani me riorganizimin e ri kalon në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, do të sjellin programe që do të synojnë masat për punësimin e të rinjve, krijimin e shkathtësive dhe kualifikimeve, rikualifikimin dhe kualifikimin shtesë të kategorive të rrezikuara, trajnimet dhe shkathtësitë e nevojshme për tregun e punës, mbështetjen për sipërmarrësinë, si dhe bashkëfinancimin e trajnimeve për përdorimin e teknologjive të reja.

Kujtojmë që me ndryshimet në ligjin për riorganizimin e qeverisë, Ministria e Ekonomisë u shndërrua në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës.Portalb.mk

Të fundit