19/05/2024
19.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dyshohet për shpërdorim të 5,7 milionë euro nga buxheti i Agjencisë për Rini dhe Sport – Prokuroria ngritë propozim-akuzë kundër 12 personave

Prokuroria Publike ka ngritur propozim-akuzë kundër 12 personave mbi dyshimet për shpërdorimin e 5,7 milionë eurove, para të shtetit nga buxheti i Agjencisë për Rini dhe Sport.

Sipas organit të akuzës, propozimi ka ardhur me nismë të Komisionit për parandalimin e korrupsionit mbi dyshimet për keqpërdorimin e vauçerëve të Agjencisë.

Prokuroria Publike nuk jep më shumë informacion por thotë shkurt se prokurori përkatës ka dorëzuar propozim akuzat në gjyq dhe ka kërkuar masa kujdesi ndaj të dyshuarve.

“Duke vepruar mbi iniciativën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, prokurori përkatës ka dorëzuar propozim-akuzë kundër 12 personave mbi veprat penale “shpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “punë të pandërgjegjshme”. Për të dyshuarit janë kërkuar masa kujdesi nga Gjykata Penale”, thonë nga Prokuroria Publike.

Anti-korrupsioni para më shumë se një viti kishte paralajmëruar se mbi bazën e dyshimeve për shpërdorime dhe mos respektim të vauçer-sistemit për financimin dhe ndarjen e fondacioneve ndaj klubeve sportive ka dorëzuar në prokurorinë publike iniciativën për ndjekje penale ndaj drejtorit të Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsovski dhe dy anëtarëve të Komisionit Qendror.

Ky institucion kishte paralajmëruar edhe iniciativë deri tek Qeveria për vërtetimin e përgjegjësisë, ndërsa në mënyrë shtesë kishte kërkuar edhe kontroll të jashtëzakonshëm nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.

Dyshimet e anti-korrupsionit ishin se drejtori dhe anëtarët e komisionit qendror gjatë viteve 2020, 2021 dhe 2022 duke mos respektuar procedurat ligjore dhe duke favorizuar klube dhe subjete të caktuara kishin keqpërdor 5,7 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Jo zyrtarisht mësohet se ndër të dyshuar ka edhe emra të njohur nga organet partiake të LSDM-së dhe persona të tjerë të përfshirë nga Komiteti Olimpik i Maqedonisë. Dëmi në buxhet të shtetit sipas burimeve të Alsat është vërtetuar edhe përmes ekspertizës financiare./ Alsat.mk

Të fundit