11/10/2024
16.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

E frikshme/ Në Maqedoni në vit vdesin mbi 3.800 persona për shkak të ajrit të ndotur

Në Maqedoninë e Veriut në vit ka 3.828 vdekje për shkak të ndotjes së ajrit, që është 17.7 përqind e vdekshmërisë së përgjithshme në vend, sipas raportit të Mirjana Dimovska, udhëheqëse e departamentit për ujë të sigurt, kanalizimeve mjedisore dhe ekotoksikologjisë shëndetësore pranë Institutit për Shëndet Publik (ISHP).

Sipas gjetjeve të raportit, vlerësohet se nivelit aktual të ndotjes së ajrit i atribuohen 195 vdekje për shkak të sëmundjes ishemike të zemrës (IHD), që përbën 18.1 për qind të totalit të vdekshmërisë nga IHD në Maqedoni.

“Ndotja e ajrit konsiderohet si kërcënimi më i madh mjedisor në botë për shëndetin e njeriut, me shtatë milionë vdekje në mbarë botën çdo vit. Ndotja e ajrit shkakton dhe përkeqëson një sërë sëmundjesh, duke filluar nga astma te kanceri, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundjet e zemrës. Ndotja e ajrit të ambientit dhe grimcat, një nga komponentët kryesorë të ajrit të ndotur, janë klasifikuar si kancerogjene për njerëzit nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime për Kancerin”, thotë doktoresha Dimovska.

Në rajonin evropian, pothuajse çdo individ është i prekur nga ndotja e ajrit, me mbi 90 për qind të qytetarëve të ekspozuar ndaj niveleve vjetore të grimcave të imta të dëmshme.

“Njerëzit në Maqedoni, dhe në përgjithësi njerëzit nga Ballkani dhe Evropa Lindore, thithin ajër më toksik të ndotur me grimca të dëmshme sesa fqinjët e tyre në Evropën Perëndimore. Rajoni i Ballkanit është shtëpia e shumë njësive me qymyr dhe linjit, si dhe 7 nga dhjetë termocentralet më ndotëse me qymyr në Evropë. Nëntë në dhjetë njerëz thithin ajër që tejkalon udhëzimet e OBSH-së që përmban nivele të larta të ndotësve, me vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që vuajnë ekspozimin më të madh. OBSH pretendon se 56 për qind e qyteteve në vendet me të ardhura të larta nuk përmbushin udhëzimet për cilësinë e ajrit”, thekson Dimovska.

Të fundit