Profesori universitar Marjan Petreski konsideron se për momentin nuk ka nevojë për korrigjim të normave të interesit sepse tani për tani presionet inflacioniste vijnë vetëm nga oferta.
– Ky inflacion importohet tërësisht nga jashtë, nëpërmjet çmimeve të produkteve parësore, pra energjisë dhe ushqimeve. Presionet inflacioniste për momentin vijnë vetëm nga kahu i ofertës, pra oferta më e vogël. Nuk ka presion nga ana e kërkesës, siç shihet në të dhënat e konsumit familjar. Prandaj, për momentin nuk ka nevojë për korrigjim të normës bazë të interesit, përmes së cilës rregullohet kërkesa, d.m.th. me rritjen e kamatës të veprohet në uljen e kërkesës, tha Petreski në paraqitjen e mbrëmshme në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma.
Ai theksoi se kur ka presion nga ana e kërkesës, atëherë duhet të veprojë banka qendrore, por se për momentin nuk ka ende një presion të tillë për ndryshimin e normës së interesit.
– Për shembull, konsumi i familjeve në vitin 2021 është në të njëjtin nivel si në vitin 2019, para pandemisë. Së dyti, rritja e kredisë konsumatore për individët po ngadalësohet. Kjo do të thotë se të paktën kemi stagnim të kërkesës, nëse jo ngadalësim.
Në këtë kuptim, çdo korrigjim i normës së interesit nga banka qendrore do të ndikonte negativisht në gjendjen në të cilën ndodhemi, tha Petreski.
Sipas Petreskit, ai nuk pret inflacion dyshifror dhe situata është shumë e pasigurt sepse çmimet në bursat botërore ndryshojnë nga momenti në moment.