Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për kthimin e 11 emrave të vjetër të rrugëve, që u ndryshuan në Këshillin Komunal në vitin 2007, ka përplasur sot BDI-në opozitare me Komunën e Tetovës. Këshilltarët e BDI-së sot në kanë dorëzuar një kërkesë me të cilën kërkojnë që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal, ku kërkojnë që edhe një herë të votohen emrat e rrugëve.
BERAT MURATI – Këshilltar i BDI-së:
“Në vitin 2006, Bashkimi Demokratik për Integrim e miratoi këtë vendim me votimin e të gjithë këshilltarëve, të të gjitha etnive, me marrëveshje të plotë politike dhe med votim sipas parimit të Badenterit. Sot kërkojmë që ky vendim të ri-miratohet menjëherë, duke pasur parasysh se, sipas regjistrimit të fundit, për këtë çështje nuk kërkohet më votim i dyfishtë me Badenter në Këshillin e Komunës së Tetovës. Tetova nuk guxon të kthehet prapa. Tetova duhet dhe do ta mbrojë historinë, dinjitetin dhe realitetin e saj.”
Nga ana tjetër, zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, i cili njëherësh është edhe kryetar i komisionit për ndryshimin e emrave në Tetovë, thotë se BDI edhe një herë ka lënë punë gjysmake, pasi ndryshimet e vitit 2007 nuk kanë kaluar në seancë qeveritare. Ndërkaq, ai premton se deri në fund të vitit do të ndryshohen të gjithë emrat e rrugëve në Tetovë.
ALBI QAMILI – zv.Kryetar i Komunës së Tetovës
“Edhe ky vendim i 2007-ës, si gjithë vendimet e tjera të qeverisjeve të kaluara, është lënë gjysmë pa marrë pëlqim nga qeveria dhe as kadastra, as regjistri qendror nuk i ka regjistruar këto emra në sistem. Prandaj, ne po punojmë intensivisht. Jemi në fazën finale të procesit për emërtimin e rrugëve. Kemi pasur propozime, kemi propozimet e marra nga gjithë qytetarët nëpërmjet arkivit të komunës. Janë diku mbi 600 propozime të reja për emrat e rrugëve dhe jemi duke punuar me listën e propozimeve, që së shpejti të kemi edhe një version final se si do t’i kenë emrat rrugët në Tetovë.”
Ndërkaq, me një komunikatë ka reaguar edhe Lidhja e Luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë, e cila ishte edhe iniciatore e lëndës në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tyre, ky vendim nuk duhet të interpretohet si vendim kundër shqiptarëve dhe dënojnë ashpër reagimet politike. Në bazë të vendimit të vitit 2007 të Këshillit Komunal në Tetovë janë ndryshuar 11 emra të rrugëve, ku mes tyre edhe emra të ish-sistemit ku janë vendosur emra maqedonas, si rruga “Boris Kidriç” që u emërua “Metodi Andonov Çento”. Ndërkohë, në Tetovë Komuna tash e dy vite ka ngritur një iniciativë për ndryshimin e emrave të rrugëve, por që akoma, përveç një komisioni, nuk ka asnjë veprim konkret në terren.







