Me fitoren në “Festivalin e Këngës” në RTSH, këngëtarja Albina Kelmendi dhe familja e saj, babai nëna, dy motrat dhe vëllai u kualifikuan për në “Eurovision 2023”, me këngën “Duje”, për ta përfaqësuar Shqipërinë këtë vit.
Pas prezantimit në natën e parë, kënga “Duje” u vlerësua pozitivisht nga publiku, ndërsa faqja e “Eurovision” e prezantoi si: Një lidhje e vërtetë, të gjithë do të ngjiten në skenën e Liverpool, shkruan Kosovarja.
Ndërsa një vlerësim kritikë e ka dhënë BBC (British Broadcasting Corporation), lidhur me këngën e Albinës dhe familjes së saj. Sipas BBC, kënga “Duje” nuk pritet të ketë ndonjë arritje të madhe, mes tjerash u cilësua edhe si një baladë dramatike e rëndë.
Krahas këtyre vlerësimeve, Revista Kosovarja këngën “Duje” të Albinës dhe familjes së saj, e ka trajtuar përmes tri komenteve nga producenti i muzikës, Shkumbin Nebihu, gazetari Engjëll Hamiti dhe këngëtari Naser Berisha.
Producenti Nebihu, u shpreh se shqiptarët në rastet e zgjedhjes së këngës përfaqësuese në Eurovision, zakonisht bëjnë “zgjedhjet e gabuara, ose njeriun e duhur e këngën e gabuar, apo këngën e mirë njeriut të gabuar ose të dyjat i zgjedhim gabim”.
Ndërsa, sa i përket Albina Kelmendit është këngëtare për tu vlerësuar, për faktin se kanë punuar së bashku, dhe pjesëmarrëja e saj në “Eurovision”, është e duhura dhe i dëshiron finalen.
Engjëll Hamiti, për dallim nga producenti tha se e sheh më të sigurtë arritjen në finale të Albinës dhe familjes së saj me këngën “Duje”, pasur parasysh se këtë gjë e vendos vetëm publiku me SMS këtë vit. Githashtu, Hamiti tha për Revistën Kosovarja, se sa i përket finales e sheh në top 10-shen apo 15-shen garuese si opsion më real bazuar në kritikat e profesionistëve e fansave të këtij evenimenti të madh kulturor.
Këngëtari, Naser Berisha arritjen e këngës “Duje” në finale e sheh si mundësi maksimale, kurse përzgjedhjen e saj si fituese bazuar në analizën e këngëtarit, shtoi se shanset janë minimale. Megjithatë, mbështetjen e tij dhe të gjithë bashkëatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit do ta ketë.
Ndryshe, ‘Eurovision 2023’ do të zhvillohet këtë vit në datat 9, 11 dhe 13 maj në ‘M&S Bank Arena’ të Liverpoolit./Kosovarja/