Të gjithë personat që kanë shprehur gatishmëri për t’u evakuuar nga Izraeli tashmë janë evakuuar, ndërsa ka mbetur edhe një person, evakuimi i të cilit do të realizohet sapo të krijohen kushte të sigurta. Nga Emiratet e Bashkuara Arabe dje janë evakuuar 151 udhëtarë, mes të cilëve kishte edhe shtetas të huaj nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Ukraina, Kosova, Serbia dhe Holanda.
Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, informoi se aktualisht në Emirate ndodhen edhe rreth 430 shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe gjatë kësaj jave nga Dubai janë planifikuar edhe dy fluturime të tjera. Ai gjithashtu theksoi se dje në aeroportin e Dubait nuk janë paraqitur 14 persona të cilët më parë ishin paraqitur për evakuim.
Në Doha ndodhen 162 persona, prej të cilëve 89 kanë shprehur gatishmëri për t’u evakuuar.
Në Kuvajt janë 36 persona, në Bahrein 15, ndërsa në Arabinë Saudite 5 persona. Për ta është organizuar transporti deri në Riad, pas së cilës gjatë kësaj jave do të realizohet fluturimi drejt Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kësaj jave janë planifikuar edhe dy fluturime për evakuimin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Emiratet e Bashkuara Arabe, bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. Me fluturimin e mbrëmshëm nga Dubai janë evakuuar 151 persona, mes të cilëve kishte edhe shtetas të huaj.
Deri më tani, nga Izraeli, përkatësisht nga Tel Avivi, janë evakuuar me sukses 12 shtetas të Maqedonisë së Veriut. Prej tyre, gjashtë janë transportuar me avion qeveritar përmes Sharm el-Sheikut, ndërsa për të tjerët është siguruar asistencë me fluturime komerciale. Në Gaza aktualisht ndodhet edhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut, për evakuimin e të cilit po punohet aktivisht dhe ai do të realizohet sapo të krijohen kushte të sigurta.







