Kreu i LSDM-së Venko Filipçe në ditën e fundit të fushatës zgjedhore kërkoi mbështetje për kandidatët e LSDM-së për rrethin e dytë të zgjedhjeve. Kandidatët e LSDM-së treguan se mund të punojnë me nder, me sinqeritet dhe përkushtim në interes të qytetarëve tha Filipçe. LSDM në rrethin e dytë do të garojë në 17 komuna ndërsa në rrethin e parë fitoi në vetëm tre komuna dhe atë në Kriva Pallankë, Krivogashtan dhe Bogdanc.
“Në rrethin e dytë kërkojmë mbështetje nga të gjithë qytetarët, nga të gjithë votuesit pa marrë parasysh se për kë kanë votuar në rrethin e parë. Thërras edhe të gjithë kandidatët që nuk kanë kaluar në rrethin e dytë dhe mbështetësit e tyre, të kyçen në këtë luftë dhe mbështetje për këto politika me vlerë. Në komunat ku LSDM nuk ka kandidat në rrethin e dytë, dua të jem shumë i qartë. Ne nuk duam të hyjmë e as që kemi hyrë në kalkulime apo bisedime të fshehta. Çdo qytetar, çdo anëtar, çdo simpatizues, ka të drejtë të plotë të vendosë sipas bindjes personale, sipas asaj që mendon se cili kandidat bartë vlera të afërta me idenë social demokrate…”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.







