Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ka kritikuar Qeverinë dhe Kryeministrin Mickoski për implementimin e ngadaltë të masave ekonomike që do ta lehtësonin situatën financiare të qytetarëve. Sipas tij, qytetarët tashmë po ndjejnë spiralen e çmimeve të shkaktuar nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe produkteve bazë ushqimore.
“Çmimi i naftës tek ne është rritur për 34,5%, pra nga 71 në 95,5 denarë. Nga transporti dhe bizneset e kompanive, deri te ajo që qytetarët e ndjejnë më së shumti: shtrenjtimi i produkteve bazë ushqimore.
Para krizës, buka e bardhë prej 500 gramësh kushtonte 34 denarë, ndërsa tani në disa markete shkon në 47,5 denarë. Vaji nga 77,5 në 110 denarë. Vezët nga 220 në 290 denarë. Mielli nga 40 në 52,5 denarë, ndërsa qumështi me 3,2% yndyrë nga 67,5 në 82,5 denarë. Rritje drastike ka edhe te perimet dhe frutat: domatet nga 130 në 235 denarë, ndërsa mollët vendase nga 45 në 70 denarë.
Kjo është dëshmi se qytetarët janë lënë të përballen vetë me situatën. Se as kryeministri dhe as kushdo tjetër në qeveri nuk kanë vullnet – e jam i bindur se nuk kanë as kapacitet – për t’i ndihmuar qytetarët, për të hartuar dhe zbatuar masa që do t’i zbusnin këto goditje të çmimeve.
Ka pasur një rritje të pagës minimale prej 1.667 denarësh. Me këtë nuk arrihet asgjë. Shporta e konsumit ka arritur pothuajse në 68.000 denarë. Duke pasur parasysh se më parë është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike, si dhe i ngrohjes qendrore, kjo rritje nuk sjell ndonjë përmirësim real – qytetarët nuk e ndjejnë atë në jetën e përditshme” – tha në një press-konferencë, lideri socialdemokrat Venko Filipçe.







