20/05/2024
19.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Filloi pilot nisma për telemjekësi me pajisje të reja për ndjekje të shëndetit nga distanca

Ministria e Shëndetësisë sot e filloi një pilot nismë të telemjekësisë pas pranimit nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) të pesëdhjetë pajisjeve për ndjekje të shëndetit nga distanca, që do t’iu lejojnë mjekëve të kryejnë ekzaminime fizike nga distanca.

Pajisjet do t’u ofrohen familjeve në nevojë dhe do të përdoren nga оmjekë të trajnuar për ofrim të shërbimeve telemjekësore përmes nismës për telemjekësi të mbështetur nga UNICEF-i dhe USAID-i.

Nisma synon të ofrojë alternativë për konsultimet tradicionale shëndetësore të realizuara sy më sy, për rastet kur prania fizike nuk është e mundur ose nuk është e nevojshme dhe njëkohësisht synon ta rrisë qasjen e barabartë në shërbimet e kujdesit shëndetësor.

Me pajisjet e monitorimit të shëndetit nga distanca, mjekët do të jenë në gjendje ta zgjerojnë shtrirjen e mjekësisë përtej katër mureve të klinikës. Ata do të jenë në gjendje të kryejnë ekzaminime fizike të pacientëve në distancë për t’i diagnostikuar gjendjet akute si: infeksione të veshit, dhimbje të fytit, ethe, ftohje dhe grip, alergji, probleme me stomakun, infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe skuqje. Një nga avantazhet kryesore është monitorimi i kushteve kronike për më të cenuarit, si dhe ndjekja dhe monitorimi i mëtejmë i procedurës së pacientëve, përfshirë të atyre me KOVID-19.

“Gjatë fazës së pilotimit ekspertë teknikë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shoqata e Mjekëve të Maqedonisë do të punojnë ngushtë me UNICEF-in, për të shkëmbyer përvojë në përdorimin e aparaturave si nga mjekët e kujdesit parësor ashtu edhe nga pacientët. Të dhënat do të mblidhen për ta ndjekur numrin e ndërveprimeve, ekzaminimeve, llojin e diagnozës, moshën e pacientëve dhe treguesit tjerë të matshëm. Bazuar në përvojat e përbashkëta, ne do t’i eksplorojmë mundësitë për ta shkallëzuar iniciativën për të ofruar shërbime të qasshme, adekuate, të barabarta dhe cilësore për të gjithë dhe veçanërisht për më të rrezikuarit”, tha ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Mjekët në vend janë mbështetur në lidhjet telefonike ose video konferencat për të ofruar shërbime të telemjekësisë, megjithatë këto janë kufizuar në ekzaminimin dhe diagnostikimin e një pacienti, pa përfitimin e një ekzaminimi fizik. Pajisjet e reja të monitorimit nga distanca tani do t’i lejojnë mjekët ta ekzaminojnë në distancë zemrën dhe mushkëritë e pacientit përmes tingujve digjitalë me cilësi të lartë; veshëve, fytit dhe lëkurës me imazhe dhe video digjitale me cilësi të lartë; si dhe t’i matin rrahjet e zemrës dhe temperaturën e trupit.

“Gjatë pandemisë KOVID-19 familjet u përballën me ndërprerje brenda kujdesit shëndetësor, gjë që çoi në një ulje të ndjeshme të ofrimit të shërbimeve shëndetësore për fëmijët dhe familjet. Teknologjia digjitale dhe modelet e reja të kujdesit i lejuan vendet të sigurojnë që sistemet shëndetësore të bëhen më të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse UNICEF-i mbetet i përkushtuar për ta mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë për të krijuar modele të reja të ofrimit të shërbimeve për fëmijët dhe familjet. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim forcimin e sistemit shëndetësor përmes digjitalizimit, ndërsa kjo është pjesë e mbështetjes më të gjerë të UNICEF-it për Ministrinë e Shëndetësisë për të mundësuar qasjes në shëndetësi cilësore, të integruar dhe gjithëpërfshirëse , tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it.

Qasja inovative dhe gjithëpërfshirëse me pajisjet e monitorimit nga distanca, nga termini në vizitën virtuale dhe në planin e kujdesit nuk është vetëm kursim kohe, por edhe kursim i stresit dhe konsiderohet se do t’i kursejë familjet me vështirësi financiare nga udhëtimi dhe pritjet në institucionet shëndetësore. Mund të ndihmojë në parandalimin e referimit të panevojshëm të pacientëve ndërmjet niveleve të ndryshme të shërbimit shëndetësor dhe në reduktimin e termineve fizike, gjë që është me rëndësi të madhe për pacientët për të cilët lëvizja e shpeshtë paraqet barrë dhe rrezik.

“”USAID-i ka kënaqësinë të bashkëpunojë me UNICEF-in dhe Ministrinë e Shëndetësisë për të zhvilluar këtë pilot iniciativë të rëndësishme për tejkalimin e barrierës ndërmjet ofruesve shërbimeve të kujdesit shëndetësor primar dhe të pacientëve në zonat rurale. Përpjekjet tona të përbashkëta për ta rritur kujdesin mjekësor të besueshëm dhe cilësor gjatë pandemisë KOVID-19 e kanë ilustruar rëndësinë e telemjekësisë dhe nevojën kritike për ekzaminime paraprake, me qëllim të përcaktimit nëse nevojitet kujdes i mëtejmë. Këto pajisje monitoruese do t’u mundësojnë mjekëve të kryejnë ekzaminime mjekësore dhe të marrin informacione të besueshme me rëndësi jetike për pacientin pa mos kërkuar konsultim përmes prezencës fizike. Nisma pilot do t’u mundësojë pacientëve të marrin kujdes cilësor dhe gjithashtu do të lehtësojë punën e specialistëve të mbingarkuar mjekësorë në Maqedoninë e Veriut”, tha z. Diego Markez, ushtrues detyre përfaqësues i USAID-it në vend.

Prokurimi i pajisjeve të monitorimit nga distancë është pjesë e mbështetjes më të gjerë të UNICEF-it për Ministrinë e Shëndetësisë në përgjigjen ndaj KOVID-19 dhe forcimin e sistemit shëndetësor përmes digjitalizimit dhe financohet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar.

Të fundit