19/04/2024
5.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

EDITORIAL / Alarm për bomba të rrejshme – kush po luan me zjarr!

Alarmet e fundit për bomba nëpër shkolla dhe në autobusët publik në kryeqytet kanë shkaktuar frikë, panik e kaos te qytetarët! Çfarë po ndodh në të vërtetë, askush nuk di ta thotë. Çfarë po fshihet pas kësaj dhe a mund të jetë një skenar për të krijuar mjegull tek qytetarët? Sido që të jetë dhe në interes të kujtdo që mund të jetë, kjo agjendë është tepër e rrezikshme dhe organet e rendit dhe sigurisë duhet t’i hapin sytë e veshët, e mos të lejojnë një skandal të tillë. Kushdo që po luan me zjarr e ka shumë gabim, sepse zjarri të parin mund ta përfshijë edhe atë. Partitë politike dhe gjithë shoqëria civile të angazhohen për qetësim të situatës dhe shtim të vëmendjes, shkruan Zhurnal.mk.

Alarm i rrejshëm për bomba në tetë shkolla dhe një autobus!

Ekipet e njësisë antiterroriste të MPB-së kanë kontrolluar për mundësinë e pasjes së bombave në tetë shkolla të mesme në Shkup, pas njoftimeve për një bombë të vendosur e cila kishte shkuar në e-mailet zyrtare të shkollave.

Dërguesi i mesazheve aktualisht nuk dihet për policinë dhe po kërkohet të zbulohet se nga ka ardhur ky email. Mesazhet u dërguan në gjimnazet “Nikolla Karev”, “Koço Racin”, “Orce Nikolov”, “Josip Broz – Tito”, “Rade Jovçevski – Korçagin”, si dhe në gjimnazet profesionale “Boro Petrushevski”, “Vlado Tasevski” dhe “Lazar Tanev”.

Shkolla e mesme “Nikolla Karev” është njëra nga tetë shkollat e mesme në Shkup ku është raportuar për një bombë. Mirëpo, pas kontrolleve të MPB-së, u zbulua se denoncimi ishte i rremë këtu.

Gjatë kontrolleve nuk janë gjetur mjete shpërthyese dhe policia ka konstatuar se njoftimet për bomba në tetë shkollat e mesme në Shkup janë të rreme, ndërsa nga MPB thonë se evakuimi i nxënësve dhe punonjësve të shkollave ka qenë i sigurt.

Nxënësit janë të sigurt dhe menjëherë janë dërguar ekipe antiterroriste për kontroll të detajuar të objekteve. Është konstatuar se në disa prej objekteve nuk ka mjet shpërthyes, pra mjeti është fals. Fillimisht është raportuar për pesë objekte, ndërsa më vonë është pranuar edhe për tre të tjera, gjegjësisht tetë shkolla në territorin e Shkupit.

Në kryeqytet u mbyllën rrugët përreth shkollave, ndërsa për shkak të kërcënimeve të bëra, mësimi nuk u mbajt në turnin e dytë, duke vonuar kështu një pjesë të testeve për tremujorin e parë. Unioni i Gjimnazistëve kërkoi më shumë siguri në shkolla dhe u bëri thirrje shokëve të klasës të qëndrojnë të qetë.

Ndryshe, javën e kaluar, trafiku në Shkup u bllokua për shkak të një njoftimi për bombë dhe autobusët e kryeqytetit u kthyen në garazh për kontrolle të hollësishme. Alarmi rezultoi i rremë, ndërsa një punonjës i ndërmarrjes publike të autobusëve, i cili e kishte dërguar kërcënimin është ndaluar nga policia.

Kush po luan me zjarr!

Maqedonia e Veriut të paktën deri më tani në çështjen e sigurisë është treguar një prej vendeve më të sigurta në rajon. Tensionet ndëretnike që ndizeshin herë pas here janë qetësuar dhe nuk ka pasur asnjë kërcënim serioz për prishjen e rendit dhe sigurisë. Kërcënimet e fundit, qofshin edhe ato false, janë shqetësim serioz për sigurinë e qytetarëve në vend dhe kjo dukuri duhet të merret me shumë kujdes dhe vëmendje parasysh. Policia duhet të tregojë efikasitet që përveç evakuimeve dhe sigurisë në përgjithësi, të gjejë menjëherë autorët e këtyre alarmeve.

Teknologjia e avancuar dhe qasja e gjithsecilit në internet ka bërë që e-maile dhe porosi të tilla të dërgojë çdo person, qoftë ndonjëri që ka probleme shëndetësore, probleme private, por edhe dikush që ka agjendë të caktuar. Më e rrezikshmja është nëse prapa këtyre alarmeve të sinkronizuar qëndron ndonjë grup i organizuar, i cili ka për qëllim që të prishë qetësinë, sigurinë dhe imazhin e Maqedonisë së Veriut.

Lufta kibernetike viteve të fundit është bërë shumë e rrezikshme, dhe përveç alarmeve për bomba, sulmet ndodhin edhe në thithje të informacioneve të besuara, vjedhjen e të dhënave personale dhe keqpërdorimin e tyre për interesa të ndryshme. Që nga ndikimet e agjendave ruse në fushatën zgjedhore në SHBA, lufta që po zhvillohet midis Ukrainës e Rusisë dhe deri tek sulmet e fundit të hakerëve iranianë ndaj Shqipërisë, janë tregues se këto sulme janë tepër të rrezikshme dhe mund të kenë pasoja të mëdha ndaj shteteve.

Siguria është primare për çdo vend. Nuk mund të ketë zhvillim të turizmit, të investimeve e të shoqërisë në përgjithësi, nëse nuk ka siguri të mjaftueshme, nëse qytetarët ndjehen të frikësuar në vendin e tyre të punës, në lëvizjet e tyre dhe në familjet e tyre. Andaj kushdo që po luan me zjarr, qoftë edhe ndonjë agjende e paracaktuar, është loja më e rrezikshme dhe më ashpër që mund t’i bëhet një shoqërie.

Agjendat politike e ekonomike në shtetet demokratike realizohen me votën e lirë të qytetarëve dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që me forma e lojëra të pista të arrihen qëllime të caktuara.
Partitë politike dhe e gjithë shoqëria civile duhet të ngrihen menjëherë në këmbë të parandalojnë çfarë do të keqe që mund të vijë nga kjo lojë e rrezikshme, dhe njëherësh të apelojnë tek qytetarët që të denoncojnë çdonjërin që ka gisht në këto veprime.

Polica dhe organet e sigurisë e kanë tani radhën të tregojnë aftësitë e tyre, ose të kërkojnë edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, me të vetmin qëllim që të parandalojnë çfarëdo skenari të mundshëm.

Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë të luhet me zjarr – sepse zjarri i djeg të gjithë!//Zhurnal.mk

Të fundit