Blerim Reka, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska, sot e fillojnë fushatën për zgjedhjet e gjashta presidenciale.
Fushatën Blerim Reka kandidat presidencial i Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa e fillon në Shkup , Siljanovska-Davkova e cila është kandidate presidenciale e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit fushatën e fillon nga Ohri, ndërsa Stevo Pendarovski i LSDM-së dhe koalicionit prezentimin e tij do ta fillojë para votuesve të Prilepit.
Fushata për zgjedhjet presidenciale do të zgjasë deri më 19 prill, me ç’rast pason heshtje zgjedhore 24-orëshe, para ditës së votimit.
Sipas paralajmërimeve të shtabeve zgjedhore, kandidatët do t’i vizitojnë pothuajse të gjitha vendbanimet, do të kenë takime me qytetarë dhe mitingje në qytetet më të mëdha. Premtojnë fushatë të qetë dhe korrekte.
Një ditë para fillimit zyrtar të fushatës, kandidatët për shef të ri të shtetit në hapësirat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve e nënshkruan Kodin për zgjedhje korrekte dhe demokratike.
Apele për zgjedhje korrekte dhe të rregullta për kandidatët, partitë politike dhe qytetarët bëmë bashkësia ndërkombëtare, përfaqësuesit shtetërorë dhe KSHZ.
Raundi i parë zgjedhor për zgjedhjet presidenciale të gjashta është caktuar për më 21 prill, ndërsa raundi i dytë do të mbahet më 5 maj.
Zyra e OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejta të njeriut (ODIHR) do t’i mbulojë zgjedhjet presidenciale me 279 vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë. Ata do të punojnë në nëntë ekipe nga dy, të cilët do të sistemohen nëpër të gjithë territorin e vendit. Në ditën e zgjedhjeve misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR do t’i bashkojë forcat me delegacionet e Asambleve parlamentare të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.
Presidentin e ri duhet ta zgjedhin 1.808.131 qytetarë me të drejtë vote të regjistruar në Listën Zgjedhore.
Në zgjedhjet presidenciale, të drejtën e votës jashtë vendit do të mund ta realizojnë gjithsej 1.782 qytetarë në 32 Përfaqësi diplomatiko – konsullore dhe zyra konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë vendit.
Sipas shortit të bërë të KSHZ-së, në fletëvotim Reka do të jetë nën numër rendor një, Siljanovsk-Davkova nën numrin dy, ndërsa Pendarovski nën numrin tre.
Sipas ligjeve të Maqedonisë, kandidati për president mund të fitojë në raundin e parë nëse i fiton mbi 50 për qind të votave të të gjithë votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore. Ndryshe do të mbahet edhe raundi i dytë më 5 maj në të cilin do të garojnë dy kandidatët me më së shumti vota nga raundi i parë. Jehona në raundin e dytë duhet të jetë mbi 40 për qind që votimi të konsiderohet i vlefshëm.
Sipas Kushtetutës, kandidati presidencial duhet të jetë mbi 40-vjeç dhe të jetë banor i shtetit së paku në 10-15 vitet e fundit. Një mandat presidencial është pesë vjet.
Profesori Blerim Reka, i cili mbështetet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, për një periudhë të gjatë është profesor i rregullt në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 2006 deri në vitin 2010 ishte ambasador i Maqedonisë në BE. Ai ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2002 e ka marrë titullin doktor i të Drejtës ndërkombëtare.
Kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova është profesoreshë e rregullt në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” për të drejtë kushtetuese dhe sistem politik. Siljanovska ka qenë ministre pa resor në Qeverinë e RM-së nga viti 1992 deri në vitin 1994, kur kryeministër ishte Branko Cërvenkovski, eksperte në Grupin e Gjenevës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe eksperte në Kombet e Bashkuara.
Kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski për herë të dytë merr pjesë në garën presidenciale. Ai në zgjedhjet paraprake humbi nga presidenti Gjorge Ivanov. Pendarovski ka qenë këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit të shtetit, kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, këshilltar për politikë të jashtme të presidentit, ndërsa tani është koordinator kombëtar për NATO-n.
Mandati i presidentit aktual Gjorgje Ivanov përfundon më 12 maj 2019.
Këto janë zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, me të cilin është zgjidhur kontesti për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe vendi e mori emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.
Më 21 prill në vend krahas zgjedhjeve presidenciale do të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme për kryetarët e komunave Ohër, Novosellë dhe Dibër. shk/