02/03/2024
9.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Fillon mandati i qeverisë së tretë teknike para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në vend do të mbahen më 8 maj, ndërsa zgjedhjet e shtata presidenciale më 24 prill. Deri në formimin e qeverisë së re deri në fund të qershorit, vendi do të drejtohet nga qeveria teknike në krye me kryeministrin Talat Xhaferi. Kjo qeveri kalimtare u zgjodh dje me 65 vota “për” dhe tre “kundër”. VMRO-DPMNE-ja ishte në sallë, por abstenoi nga votimi derisa në seancë nuk morën pjesë edhe deputetët e Lidhjes Evropiane për Ndryshim.

Në Qeveri sot është planifikuar pranim- dorëzimi i detyrës midis të kryetarit të deritashëm të qeverisë Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të qeverisë kalimtare Talat Xhaferi. Është planifikuar që kryeministrat Kovaçevski dhe Xhaferi të mbajnë një takim të shkurtër. Ndërkaq, pritet që pranim- dorëzim të funksioneve të ketë në të gjitha ministritë.

Xhaferi në ekspozenë e tij para deputetëve në kuadër të seancës plenare të 141-të tha se për të, si mandatar i kësaj qeverie, nuk ka dallim nëse bëhet fjalë për një apo 100 ditë, për qeveri teknike apo kalimtare.

“Dua t’ju siguroj se në asnjë moment nuk do të lejoj të devijojmë nga ajo që nënkupton një institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët dhe një institucion me kompetenca të qarta të përcaktuara me Kushtetutë në raport me shtyllat e tjera të qeverisjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Xhaferi.

Xhaferi ritheksoi se e pranon mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, me premtimin se me ndërgjegje dhe në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, Qeveria dhe negociatat për formimin e saj do të zhvillohen sipas nevojës dhe situatës politike në vend, me shpresë që ministrat e propozuar do të përmbushin pritshmëritë e situatës aktuale dhe mbi të gjitha me përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Në përbërjen e qeverisë kalimtare, zëvendëskryetar i parë i qeverisë dhe zëvendëskryeministër për Çështje evropiane është Bojan Mariçiq, ndërsa Artan Grubi është ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive. Pançe Toshkovski me propozim të VMRO-DPMNE-së është ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa Gjoko Vellkovski për Punë dhe Politikë Sociale.

Në vendet e deritanishme mbeten Krenar Lloga – ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë, Lupço Nikollovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonmisë së Ujërave, Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit, Risto Penov – ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska – ministre e Kulturës, Azir Aliu – ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova. – ministre e Mjedisit dhe Fatmir Bytyqi, ministër pa portofol i ngarkuar për çështjet ekonomike dhe Sllavica Gërkovska, ministre pa portofol përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë.

Kuvendi në mbledhjen e 142-të zgjodhi edhe zëvendësministrat dhe zëvendësministrat plotësues në Qeverinë teknike, mandati i të cilëve do të jetë deri në zgjedhjen e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të caktuara për më 8 maj.

Kryetari i BDI-së iu drejtua deputetëve të opozitës, Antonio Milloshoski dhe Pavle Trajanov, duke pyetur nëse ka qenë më mirë kur shqiptarët nuk ishin të barabartë apo në vitin 2001 kur ai dhe një pjesë e shqiptarëve ishin përndjekur nga shteti si “terroristë”. Ahmeti bëri thirrje për bashkëjetesë dhe marrjen e vendimeve në interes të shtetit.

Deputeti i LSDM-së dhe zëdhënës i kësaj partie, Darko Kaevski nga foltorja e Kuvendit tha se deputetët e LSDM-së, si parti progresive dhe proevropiane, së bashku me deputetët e shumicës do ta mbështesin Qeverinë teknike. Sipas tij, LSDM në vitet e kaluara ka treguar se është parti demokratike që ka ditur të mbrojë zërin e qytetarëve dhe të drejtën e tyre të paprekshme për të shprehur lirshëm vullnetin e tyre.

Sipas Elmi Azirit nga Aleanca për Shqiptarët, mosvotimi është për shkak të përkatësisë etnike të kandidatit për kryeministër. Kjo, tha ai, nuk është shenjë e mirë, veçanërisht nga ata që pretendojnë të udhëheqin shtet ndëretnik.

Qeveria kalimtare zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve të planifikuara për 8 maj. Mandati i Qeverisë kalimtare zgjat nga zgjedhja deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet për deputetë dhe zgjedhjen e qeverisë së re politike.

Kjo është qeveria e tretë kalimtare apo teknike që nga viti 2016. Kryeministër i qeverisë teknike në vitin 2016 ka qenë Emil Dimitriev, ndërsa në vitin 2020 Oliver Spasovski.

Të fundit