Të gjithë e presim fundjavën, por jo të gjithë dimë çfarë të bëjmë me të. Dikush e shndërron në vazhdim të javës së punës, vetëm pa orarin zyrtar.
Dikush e mbush me obligime që janë shtyrë pesë ditë me radhë.
E dikush, kur më në fund merr kohë për veten, nuk di si ta mbushë atë. Atëherë fundjava bëhet një pasqyrë e heshtur: tregon jo vetëm sa të zënë jemi, por edhe sa kemi harruar të jemi të lirë.
Fundjava prej kohësh nuk është vetëm fundi i javës së punës. Ajo është një mit i vogël personal. Dy ditë në të cilat njeriu beson se do ta rikthejë atë që ia ka marrë java: gjumin, qetësinë, bisedën, afërsinë, ajrin, veten. Në kalendar duket thjesht – e shtunë dhe e diel. Në jetë, megjithatë, fundjava është shumë më tepër: një masë që tregon sa të lodhur jemi, sa të vetmuar, sa të burgosur në obligime dhe sa ende dimë të jetojmë jashtë orarit. Por, kur në vendin tonë, fundjavat e zgjatura I kemi në sasi të konsiderueshme ndonjëherë pëson edhe qytetari i thjeshtë.
Derisa për besimtarët mysliman, e Mërkura e 27 Majit ishte ditë jopune për shkak të Festës së Kurban – Bajramit, sot ditë jopune ishte për qytetarët e besimit ortodoks. Ata kremtojnë Ditën e Shpirtit.
Në Tetovë vazhdon kremtja e Kurban – Bajramit kurse edhe me festën fetare ortodokse, duket se disa banka kanë vendosur që ta lidhin uikendin në atë që e quajmë – fundjavë e zgjatur. Qytetarët mbeten pa shërbime. Punojnë vetëm ato banka që mbase para kohe kanë shpërndarë pensionet.
Qytetarët për Tv Koha thonë se vendi ynë ka shumë festa.
“Kjo nuk është në botë askund, gjithë ato festa. Është normal të ketë 4-5 festa, ndaç kombëtare apo fetare, por gjithë këto festa janë humbje për studentët, nxënësit, punëtorët. Por, këtu është kot edhe të folish”
“Më herët diheshin festat, aktualisht duket se kemi shumë festa. Gjithcka është privatizuar dhe po festohen edhe shumë festa fetare të krishtera”
“Për popullin është më mirë të ketë sa më shumë festa, që të pushojnë. Festat janë normale”
Por, si i shfrytëzojnë fundjavat qytetarët e Tetovës? Përgjigjet e tyre janë sa ironike po aq edhe reale.
“Uikendin e kalojmë, varet kush si e ka gjendjen financiare. A kemi Bajram? A s`mund unë ta pres Kurbanin tim e ti tëndin? Me gjysmë rroge këtu nuk mbërrihet. Edhe uikendi nuk kalohet pa para”
“Ja si më sheh. Ecim lëvizim, gjendemi këtu”
“Ne jemi plakur, shumë dobët e shfrytëzojmë e mund të shkojmë për uikend. Nëse na paraqitet ndonjë mundësi, pse jo, vitet poe bëjnë të veten. Kur ishim më të rinj shkonim për uikend, tani jo”
“Për mua uikend është për çdo ditë, jam pensionist”
Në vitin 2026, të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të kenë shtatë fundjava të zgjatura.
Nga gjithsej 11 ditë jopune për të gjithë qytetarët, shtatë prej tyre bien të premten ose të hënën dhe lidhen me fundjavën, ose bien të dielën dhe, në përputhje me Ligjin, ditët jopune transferohen të hënën./Tv Koha/







