21/05/2024
15.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Gershajmer” hap fabrikën e dytë në ZZHTI Shkup, 180 vende të reja pune

Kompania gjermane “Gershajmer” fillon investimin e dytë në zonën zhvillimore teknologjiko-industriale 2 në Shkup. Bëhet fjalë për ndërtimin e një fabrike të dytë për produkte të specializuara të xhamit mjekësor dhe shiringave të vaksinës.

Me këtë, shuma e investimit do të arrijë mbi 126 milionë euro, që sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, paraqet një shumë rekord të investimit që nga themelimi i zonave ZZHTI në vend.

“Para rreth katër vitesh nga “Gershajmer” bënë një hap të guximshëm, duke investuar në ndërtimin e fabrikës për plastikë mjekësore, pikërisht këtu në ZZTHI në Shkup. Vendi ynë u zgjodh si destinacion i “Gershajmer”, i cili tashmë ka hedhur themelet e fabrikës së tij të dytë në Evropën Juglindore në këtë zonë teknologjike, në një kohë kur e gjithë bota po përballej me një nga krizat më të mëdha të shekujve të fundit për shkak të krizës së koronës”, tha Kovaçevski në fjalimin me rastin e investimit të ri.

Sipas kryeministrit, investimi i “Gershajmer” është vendimi i duhur në kohën e duhur. Deri më sot, tha Kovaçevski, “Gershajmer” mbeti qiramarrësi më i madh dhe investitori më i madh i vetëm në ZZHTI në Maqedoninë e Veriut dhe investitori më i madh në zonat ZZHTI për nga sasia e investimeve.

“Këtu në ZZTHI Shkup 2 realizohet projekti i parë për prodhimin e produkteve teknologjike për industrinë farmaceutike të “Gershajmer” dhe në fazën e parë vitin e kaluar e kanë zgjeruar investimin nga 35 milionë euro fillestare në 65 milionë euro. Këtu tashmë janë të punësuar 100 bashkëqytetarë tanë. Me ndërtimin e fabrikës së dytë të produkteve të specializuara të xhamit mjekësor dhe shiringave të vaksinës, investimi do të arrijë në mbi 126 milionë euro. Kjo nënkupton punësimin e 180 punëtorëve të rinj nga vendi ynë”, tha Kovaçevski.

Drejtori i ZZHTI Jovan Despotovski tregoi se në dy fazat e kompanisë arrihet një investim pak më pak se 200 milionë euro.

“Pavarësisht se jemi të vegjël, mund të japim një sfidë serioze në sfidat globale. Ne kemi një investim në një aktivitet krejtësisht të ndryshëm nga ai që kemi trashëguar, që është farmacia, një aktivitet i shekullit të 21-të. Është dallim dhe është një hap serioz përpara”, tha Despotovski.

Zëvendësambasadori i Gjermanisë në vend, Oto Graf, në fjalimin e tij theksoi se për të dyja vendet – Gjermaninë dhe Maqedoninë e Veriut, prodhimi është pjesë e rëndësishme e jetës dhe prandaj e konsideron një zgjedhje krejtësisht të natyrshme që një kompani gjermane të vijë në Maqedoninë e Veriut

Të fundit