05/03/2024
12.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Gjendja e jashtëzakonshme deri të shtunën, bëhen vlerësime nëse do të ketë vazhdim

Gjendja e jashtëzakonshme që e shpalli presidenti Stevo Pendarovski më 16 prill skadon të shtunën. Tani për tani mbetet e hapur çështja nëse do të ketë vazhdim të ri.

Kryeministri Oliver Spasovski dje deklaroi se Qeveria ende nuk ka sjellë vendim se a do të vazhdojë gjendja e jashtëzakonshme në periudhën e ardhshme. Ai tha se ende po bëhen analiza dhe vlerësime në bazë të gjendjes shëndetësore.

“Unë bëj thirrje që të presim dy ditë, kur do të ketë mbledhje Qeveria dhe të bëhet vlerësimi se a do të ketë nevojë për gjendje të re të jashtëzakonshme dhe se sa do të jetë”, tha Spasovski.

Ai shtoi se po përgatitet edhe raporti deri presidenti Stevo Pendarovski, për atë se çka është bërë gjatë kësaj gjendje të jashtëzakonshme. Mbetet në qëndrimin se prioritet është para së gjithash jeta dhe shëndeti i qytetarëve, ndërsa në bazë të atij prioriteti do t’i sjellin edhe vendimet e ardhshme.

Nëse sillet vendim i ri të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme dhe Qeveria të dorëzojë propozim, Këshilli i Sigurisë duhet të mbajë seancë të re të premten dhe presidenti të sjell vendim për vazhdimin e saj.

Ndryshe, gjendja e jashtëzakonshme për shkak koronavirusit, e cila fillimisht u shpall më 18 mars, pas së cilës u soll edhe një vendim për 30 ditë të reja do të përfundojë të shtunën.

Të dy vendimet e presidentit Pendarovski për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme mbetën të pakonfirmuara në Kuvend, sepse ai ishte shpërndarë.

Nëse përbërja parlamentare nuk shpërndahej Kuvendi në vend të presidentit Pendarovski do të duhej të sjell vendim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, siç është paraparë me Kushtetutë.

Të dy vendimet e shefit të shtetit për gjendje të jashtëzakonshme u kontestuan para Gjykatës Kushtetuese, por ajo vendosi se nuk ka bazë për ngritje të procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së saj. sn/

Të fundit