22/04/2024
4.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Gjykata si e liroi autorin e vrasjes së dyfishtë në Çellopek në vitin 2021, pasi që kishte kërcënuar me armë mjekun e ambulantës së fshatit

Vrasësi në Çellopek në shkurt të 2021 kishte kërcënuar mjekun e ambulantës së fshatit, por gjykata si e kishte liruar?!

Vrasja e dyfishtë në Çellopek të Tetovës ndoshta ka mundur të evitohej, sikur që institucionet e vendit të zbatonin ligjin dhe drejtësinë, përcjell INA.

Autori i vrasjes, Ilmi Ismaili nuk është hera e parë që kishte krijuar problem dhe kishte kërcënuar me armë.

Siç mëson INA nga burime të saj, ai në shkurt të 2021 kishte kërcënuar me armë zjarri mjekun në ambulancën e fshatit. Atëkohë, policia kishte ardhur në vendin e ngjarjes, ishte procesuar rasti dhe më pas gjykata e la të lirë.

Autori i dyshuar edhe pse kishte probleme dhe çrregullime shëndetësore, ai për rastin e kërcënimit të mjekut me pistoletë ishte liruar nga një gjykatëse që e kishte procesuar rastin. Siç mëson INA, nuk dihen rrethanat se në incidentin e parë që kishte ndodhur në shkurtin e 2021 autorit a i ishte konfiskuar pistoleta.

Ndërkohë, dje Prokuroria themelore publike në Tetovë ka lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve kundër 59-vjeçarit, banues në Çellopek, i cili pardje ka vrarë dy persona dhe siç thuhet nga Prokuroria ka tentuar të vrasë katër persona të tjerë nga e njëjta familje, përcjell INA.
Autori i dyshuar i vrasjes ka takuar viktimat kur kanë dalë në oborrin e shtëpisë dhe kanë nisur një debat për një rrugë që kanë përdorur së bashku dhe për të cilën kanë pasur mosmarrëveshje edhe më parë.
Pas debatit, i dyshuari ka nxjerrë një armë që e posedonte pa leje dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të viktimave. Njëri prej tyre është kundërpërgjigjur me të shtëna nga arma e zjarrit për të cilën ka pasur patentë, por i dyshuari ka marrë jetën e dy viktimave – babait dhe djalit.
Më pas ai ka vazhduar të qëllojë në drejtim të katër personave të tjerë, të afërm të tyre, duke i shkaktuar lëndime me armë zjarri njërit prej tyre.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes pjesëtarët e SPB-së së Tetovës, i dyshuari ka rezistuar dhe nuk ka dashur të dorëzohet, por më pas është dorëzuar pasi që i ishte ngushtuar veprimi.
Ai po hetohet për veprën penale të vrasjes nga neni 123 paragrafi 3 dhe do të jetë përgjegjës edhe për vrasje në tentativë, si dhe për armëmbajtje pa leje. Pas propozimit të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Tetovë të dyshuarit i caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Ndërkohë, dje u bë varrimi i dy të vrarëve Faruk Xhavitit (52) dhe Muhamedinit (28) , babë e birë, ndërsa mbeti i plagosur edhe një familjar i tyre 54 vjeçar. (INA)

Të fundit