Koalicioni në Qeveri, VLEN ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin ngrihet mekanizmi i sigurimit të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione shtetërore – balancuesit, transmeton TV21.
Nga VLEN akuzojnë BDI-në për këtë vendim, pasi siç thonë, ajo zgjodhi gjykatësit që votuan “pro” kësaj çështje dhe sigurojnë se përfaqësimi i shqiptarëve është i garantuar.
Nga VLEN kanë përmendur edhe ligjin të cilin e kanë në përgatitje, që sipas tyre, do të jetë më i fuqishëm se ky mekanizëm dhe nuk do të mund të shfuqizohet nga asnjë gjykatë.
Ndërkaq përfundojnë duke thënë se vendimi i sotëm nuk do të ndryshojë asgjë sa i takon të drejtave dhe përfaqësimit të shqiptarëve.
Reagimi i plotë i VLEN-it:
“VLEN reagon ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ngrirjes së të ashtuquajturit balancues.
Ky vendim është frymëzuar nga nevoja e dukshme e strukturave kriminale të pushtetit të kaluar për të krijuar probleme ndëretnike dhe për të destabilizuar marrëdhëniet e brendshme në shtet.
Duam ta njoftojmë opinionin se të gjithë gjykatësit, pa përjashtim ose çfarëdo përkatësie, janë zgjedhur me votat e BDI-së në mandatet e mëparshme. BDI-ja ka mbështetur të gjithë ata që kanë nisur procedurat kundër të ashtuquajturit balancues. VLEN tashmë po punon për zgjidhjen e problemit të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione, por
në mënyrë adekuate të sistemuar dhe të kodifikuar. VLEN do ta zgjidhë këtë problem me një ligj të ri, që tashmë është në proces të përgatitjes.
Kujtojmë se parimi i përfaqësimit të barabartë dhe të drejtë është i garantuar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nuk mund të kontestohet apo anulohet as nga Gjykata Kushtetuese. Për më tepër, në dhjetëra, ndoshta edhe qindra ligje që rregullojnë funksionimin dhe punën e institucioneve individuale, është i garantuar
përfaqësimi i shqiptarëve.
Vendimi i sotëm nuk do të ndryshojë asgjë për të drejtat e shqiptarëve, por tregon qëllimet e këqija të atyre që i zgjodhën këta gjykatës në Gjykatën Kushtetuese. BDI-ja nuk i zgjidhte problemet e shqiptarëve, sepse nuk kishte kohë. Ata ishin të përkushtuar ndaj bizneseve të tyre, tenderave, kazinove, qendrave tregtare dhe kompanive të ndërtimit.
BDI-ja ishte e zënë duke kryer krime”.