Të tjera lajme

Hapet Konsullata e Nderit e Maqedonisë së Veriut në Gjenevë

Hapet Konsullata e Nderit e Maqedonisë së Veriut në Gjenevë Zaim Jashari– Në metropolin ndërkombëtar të Gjenevës është hapur Konsullata e Nderit e Maqedonisë së Veriut. Ceremonia solemne u zhvillua në prani të personaliteteve politike, diplomatike dhe shoqërore. Inaugurimin e bëri ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, së bashku me ambasadorin Rexhep Demiri. Në krye të konsullatës u emërua Zaim Jashari, veprimtar dhe humanist i njohur në diasporë, i cili është vlerësuar për kontributin e tij në promovimin e Maqedonisë së Veriut në Zvicër dhe për angazhimet e tij patriotike, përfshirë ngritjen e bustit të Skënderbeut pranë OKB-së dhe OBT-së në Gjenevë. Ministri Mucunski tha se emërimi i Jasharit është një vlerësim për arritjet e tij dhe një hap drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe. “Me këtë konsullatë, vendi ynë do të ketë një derë të re bashkëpunimi në Gjenevë, një qendër të rëndësishme diplomatike dhe ekonomike për Evropën,” u shpreh ai. Pas ceremonisë u organizua një pritje solemne, ku u prezantuan mundësitë për investime dhe bashkëpunim ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës. Në këtë ngjarje morën pjesë diplomatë, ambasadorë dhe përfaqësues të diasporës, ndër ta përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Greqia, Izraeli, Kazakistani, Monaco, si dhe personalitete të njohura nga Gjeneva. Ngjarja u vlerësua si një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve diplomatike, kulturore dhe ekonomike në metropolin ndërkombëtar të Gjenevës.

Të fundit