Të tjera lajme

RMV së shpejti në Asamblenë e OKB-së: “Jo në emrin tonë”, nisma për Palestinën me protestë para MPJ-së

Sot, më 9 shtator, në orën 18:00, nisma “Të gjithë për Palestinën” po organizon protestë përpara Ministrisë së Punëve të Jashtme, në pritje të pjesëmarrjes së Maqedonisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, transmeton Portalb.mk.

Nisma, në kuadër të këtyre ngjarjeve protestuese, po i bën thirrje publikut të nënshkruajë një peticion duke kërkuar që qeveria dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të Maqedonisë të votojnë në mbështetje të Palestinës gjatë kësaj asambleje.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut disa herë ka abstenuar në rezolutat që kërkojnë armëpushim në Gaza.

Në qershor vendi abstenoi në rezolutën për armëpushim të menjëhershëm dhe mbrojtje të civilëve në Gaza.

Edhe në shtator të viti 2024 pati abstenuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së  që kërkonte që Izraeli t’i japë fund prezencës së tij të paligjshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar brenda një viti.

Maqedonia e Veriut abstenoi nga votimi, së bashku me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Austrinë, Zvicrën, Suedinë, Danimarkën, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Sllovakinë, Lituaninë, Ukrainën, Serbinë, Shqipërinë, Kanadanë, Indinë, Australinë, dhe vende të tjera.

Maqedonia e Veriut, votoi e përmbajtur edhe në tetor 2023 në miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Rezoluta e cila ishte propozim i Jordanit, u miratua me 120 vota “për”, me 14 “kundër” dhe 45 “të përmbajtur”. Maqedonia e Veriut ishte në mesin e vendeve e cila ishte e përmbajtur për rezolutën me të cilën dënohen të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinez dhe izraelit, si dhe sulmet terroriste dhe joselektive, ndërsa gjithashtu bënte thirrje për ndihmë të papenguar dhe mbrojtje të civilëve.

Të fundit