Nga Tetova për në vendet e shenjta do të udhëtojnë 440 haxhinj. Myftiu i Tetovës gjatë një prononcimi për Tv Koha, bëri të ditur se të gjitha procedurat tashmë janë drejt përfundimit kurse nisja e tyre drejt Xhides do të bëhet nga 17, 18, dhe 19 Maj.
“Një udhëtim që fillon me fillon me kërkimfalje dhe dhënien e saj”, “Një udhëtim që nis me pendim të sinqertë dh përfundon me një zemër plot falje për të tjerët”.
Këto janë disa nga mesazhet senzibilizuese që i gjeni në faqen e Myftinisë së Tetovë në Facebook, ku njoftohet për mbarëvajtjen e Haxhit 2026.
Myftiu I Tetovës, Selver Xhemaili, thotë se procedurat kanë filluar që nga viti I kaluar për arsye se regjistrimi dhe evidentimi i nijetlinjve, kohën e fundit, bëhen një vit para.
Për të kryer Haxhin 2026, nga Tetova janë regjistruar 440 nijetlinj.
Tashmë janë siguruar vizat, në bashkëpunim me Qendrën për Shëndet Publik, është bërë vaksinimi i haxhilerëve tanë, kurse do të mbahet edhe një seminar me të gjithë haxhinjtë ku do t`u bëhen shpjegime profesionale se si kryhet haxhi.
SELVER XHEMAILI – Myfti i Tetovës
“Nga Tetova gjithsejt kemi 440 haxhinj-nijetli, prej tyre, plus 21 anëtarë janë si pjesë e personelit profesional fetar dhe mjekësor, do të thotë gjithesjt i kemi 464 nga Tetova që do të udhëtojnë për ta kryer Haxhin 2026. Normalisht në paketën që janë paraparë për një haxhi, përfshihen të gjitha gjërat që mund të ketë nevojë haxhiu gjatë udhëtimit, me fluturimin, akomodimin në hotel, me ushqimin me udhëheqësin profesional, me të gjitha gjërat deri në imtësi që duhen për një haxhi për ta kryer haxhin në formën më të mirë janë të paraparë që të realizohen”
Myftiu I Tetovës, bëri publike edhe itinerarin e fluturimeve për në vendet e shenjat. Në dispozicion të BFI-së janë 11 aeroplana.
SELVER XHEMAILI – Myfti i Tetovës
“Pritet që sivjet të udhëtojmë nga data 15 deri 20 Maj, që do të thotë përafërsisht 11 aeroplana janë gjithsejt, por për haxhinjtë e Tetovës është e paraparë nga 17, 18, 19 Maj që të nisemi për vendet e shenjta dhe pas qëndrimit prej 25, 26 apo 27 ditë atje do të kthehemi inshallah në vendlindje”
Nisja do të bëhet nga Shkupi në Xhide dhe kthimi nga Medina në Shkup. Kompania ajrore tashmë është kontraktuar, për disa vite me radhë BFI udhëton me të njëjtën kompani.
Indikacionet janë që për shkak të situatës që mbizotëron në Lindjen e Mesme ekzistojnë disa shenja që kompania ka mundësi që të vendos një taksë sigurie. Taksa ende nuk është konfirmuar, por kjo ka të bëjë mes BFI-së dhe kompanisë ajrore.
Myftiu I Tetovës thotë se pavarësisht zhvillimeve në Lindjen e Mesme, nuk ka shenja rreziku për sigurinë e nijetlinjve dhe se procedurat vijojnë sipas planprogramit.
Procedurat e Haxhit veçmë kanë filluar në Arabinë Saudite, nuk ka ndonjë pengesë, nuk ka ndonjë paralajmërim se ka ndonjë rrezik për sigurinë, dmth është krejtësisht gjendje normale, për arsye se vija e udhëtimit tonë është krejtësisht larg asaj gjendjes luftarake në Lindjen e Mesme. Kështu që nuk ka ndonjë shenjë se ka ndonjë rrezik dhe nuk ka ndonjë paralajmërim se mund të ndalohet apo të anulohet”
Këtë vit në haxh dhe për vizitë në vendet e shenjta myslimane, nga Maqedonia e Veriut, do të shkojnë 2.020 besimtarë, që është numër identik me vitin e kaluar. Numri është identik si edhe vitin e kaluar. Besimtarët do të udhëtojnë prej 14 deri më 21 maj, me fluturime çarter me aeroplan.
Sa i përket moshës, sipas BFI-së, këtë vit ata që udhëtojnë në haxh i takojnë gjeneratës më të re, ndërsa më i moshuari është një 75-vjeçar. Çmimi për aranzhim për Haxh është 6.700 euro, që është më i lartë për 250 euro në krahasim me vitin e kaluar.
Festa e madhe e Bajramit të Kurbanit, këtë vit bie më 27 maj./Tv Koha/







