Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka kërkuar falje për incidentet që shënuan seancën parlamentare për rindërtimin e Qeverisë, pas akuzave për fyerje dhe sulme verbale ndaj deputetëve nga kandidati për ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, dhe vetë kryeministri.
Sipas opozitës, gjatë pauzës së seancës, Ivan Stoilkoviq ka sulmuar verbalisht deputetë të LSDM-së, ndërsa deputetja e BDI-së, Arta Bilalli-Zendeli, ka bërë të ditur se objekt i sulmit verbal ka qenë edhe deputetja shqiptare Arbana Pasholli.
Në reagimin e saj, Bilalli-Zendeli e cilësoi sjelljen e Stoilkoviqit si të papranueshme dhe ofenduese.
Ndërkohë, grupi parlamentar i LSDM-së njoftoi në një konferencë të jashtëzakonshme se Ivan Stoilkoviq gjatë debatit për rindërtimin e Qeverisë kishte fyer edhe deputetët Fatmir Bytyqi dhe Mitko Trajçulleski.
Deputetët e opozitës reaguan pasi, sipas tyre, pas koordinimit me kryetarin e Kuvendit ishte arritur pajtim që të miratohej një konkluzion për dënimin e sjelljes së Stoilkoviqit, por ai nuk kërkoi falje.
Në shenjë revolte, deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët e braktisën seancën në të cilën pritej të votoheshin ministrat e rinj.
Pas zhvillimeve, kryeministri Hristijan Mickoski, në fund të debatit dhe para votimit për ministrat e rinj, kërkoi falje për ngjarjet e ndodhura në Kuvend.
“Si kryetar i Qeverisë, dua t’ju kërkoj falje juve, deputetëve dhe qytetarëve që sot ishim dëshmitarë të këtyre ngjarjeve dhe shpresoj që kjo të mos na ndodhë më kurrë”, deklaroi Mickoski.
Më pas, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerësoi se kërcënimet dhe fyerjet e drejtuara ndaj deputetëve nga Mickoski dhe Ivan Stoilkoviq janë shenjë dobësie.








