29/03/2024
18.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

I dërguari i Ukrainës në OKB: Heqja dorë nga territoret ukrainase për marrëveshjen e paqes “vetëvrasje politike”

I dërguari i Ukrainës në Kombet e Bashkuara (OKB), Sergiy Kyslytsya, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të heq dorë nga asnjë nga territoret e saj në këmbim të marrëveshjes së paqes me Rusinë në mes të luftës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Jo. Është e pamundur”, tha Kyslytsya i pyetur në një intervistë nëse Ukraina do të heq dorë nga rajonet e Krimesë dhe Donbasit, për të cilat Rusia ka kërkesa për një marrëveshje të paqes me Ukrainën.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron që Ukraina të pranojë Krimenë si tokë ruse dhe të njohë pavarësinë e rajoneve separatiste Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore, të njohura bashkërisht si Donbas.

“Nuk besoj se ndonjëherë do të bien dakord për të hequr dorë nga territori ynë. Është vetëvrasje politike”, tha Kyslytsya, duke theksuar se ndarja e Ukrainës ose shkëputja e rajoneve separatiste është “e pamundur”.

Sipas tij, kërkesa e Rusisë që Ukraina të heq dorë nga territoret e saj është “e pahijshme për presidentin Putin, i cili po e humb luftën”.

I pyetur nëse Ukraina do të pranojë të qëndrojë neutrale dhe të mos jetë pjesë e NATO-s, Kyslytsya tha se i takon popullit ukrainas të vendosë si komb.

Ai tha se nuk beson se Rusia do të pranojë të gjejë një zgjidhje diplomatike, si dhe shtoi se Moska “ka humbur atë pak besueshmëri” dhe çfarëdo që thotë ajo do të duhet të vërtetohet me veprime.

“Nëse Rusia dëshiron të zbusë dëmin ndaj Rusisë, dëme afatgjate sepse Rusia do të vuajë tani, për shumë vite në vijim, atëherë ata duhet të organizohen dhe të jenë seriozë në tryezë (të negociatave). Përndryshe Rusia do të mposhtet ushtarakisht”, shtoi ai.

I dërguari ukrainas në OKB gjithashtu përsëriti thirrjen për NATO-n që të ndihmojë Ukrainën me “sa më shumë armë të nevojshme” kundër agresionit rus.

“Nëse Ukraina nuk është në gjendje të mbrohet, atëherë pasues (objektivi i ardhshëm i Rusisë) do të jetë një vend i NATO-s”, tha Kyslytsya.

Ai po ashtu tha se Ukraina ka nevojë për garanci nga Perëndimi dhe komuniteti ndërkombëtar se “ajo që ndodh sot nuk do të ndodhë më kurrë”.

– Roli i Turqisë në bisedimet e paqes

Duke folur për bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës në Turqi, Kyslytsya falënderoi presidenti Recep Tayyip Erdoğan për përpjekjet për ndërmjetësim të Ankarasë për t’i dhënë fund luftës.

“Është një çështje fakti se duke marrë parasysh ndërlikimin e çështjes, unë nuk besoj se ka shumë lider, përveç Erdoğan-it, që janë të gatshëm të kushtojnë kaq shumë kohë dhe përpjekje personale”, theksoi Kyslytsya.

Ai tha se është në interesin kombëtar të Turqisë që të ketë një Ukrainë të lirë, paqësore dhe të begatë si fqinj, duke shtuar se, “Unë shoh një të ardhme shumë të begatë dhe të suksesshme të miqësisë sonë”.

Bisedimet e fundit në Stamboll u panë si një përparim në përpjekjet për të ndalur armiqësitë që, sipas shifrave të fundit të Kombeve të Bashkuara (OKB), kanë marrë jetën e të paktën 1.232 civilëve dhe kanë lënë të plagosur rreth 1.950 të tjerë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se gjithashtu mbi 4 milionë ukrainas kanë ikur në vendet evropiane, si dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Të fundit