U përurua një pjesë prej 700 metrash të bulevardit “Vidoe Smilevski Bato” në Tetovë, një projekt që ka kushtuar 1.1 milion euro. Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami njoftoi se ky projekt përfshin kanalizimin atmosferik dhe fekal, ndriçim dhe gjelbërim.
“Ky projekt është i rëndësishëm që zgjedh një ndër problemet më të mëdha të komunës së Tetovës të infrastrukturës. Është i rëndësishëm edhe nga shkaku që paralajmëron valë të madhe investimesh në infrastrukturë të përkrahura nga Qeveria, që për këtë vit për Tetovën do të jetë një vlerë diku rreth 15 milionë euro dhe që një pjesë e madhe janë të parapara në përmirësimin e infrastrukturës rrugore”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ky bulevard tashme ka marrë formën e tij.
“Jam i kënaqur që po marr pjesë në një takim të bukur, i rëndësishëm për Tetovën dhe jo vetëm për Tetovën por edhe për të gjithë qytetarët e rajonit të Pollogut që e përdorin këtë drejtim të rrugës. Kjo më parë është konsideruar si diçka e pamundur. Ja pra tani me punë të përkushtuar të kryetarit, me punë të përkushtuar të këshilltarëve administrativ të deputetëve, kjo rrugë dalëngadalë e ka marrë dimensionin dhe formën e saj”, tha Hristijan Mickoski, krymeinistër.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti theksoi se ky projekt është një përfitim i rëndësishëm për qytetarët e Tetovës, duke mundësuar lëvizje më të lira dhe më të shpejta në qytet.
“Ministria e Mjedisit Jetësor ka participuar në ndërtimin e tij në kuadër të projekteve të shumta që mbështesim anë e mbanë vendit, që ndodh për herë të parë pikërisht në këtë Qeveri”, u shpreh Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër.
Ky projekt ka nisur që në vitin 2016, me financim nga Banka Botërore, dhe ishte parashikuar të fillonte në vitin 2020, por puna u ndal për shkak të pandemisë. Bulevardi do të shtrihet deri në fshatin Poroj, dhe qëllimi është të lehtësohet trafiku në lagjen Drenovec.







