Të tjera lajme

IZET ZEQIRI: REFORMAT NË UNIVERSITETE – RREZIK PERCEPTIMI SI AGJENDË POLITIKE!

Përforcimi i kritereve për progress në titujt akademik, mënyra e re e financimit për universitetet që do të përmbushin kriteret e larta dhe nxitja e transparencës së punës së Universiteteve Shtetërore, janë vetëm disa nga risitë në Ligjin për Arsim të Lartë dhe Ligjin për cilësi në arsimin e lartë që tashmë janë publikuar në ENER, derisa Ligji për veprimtari hulumtuese – shkencore do të publikohet ditëve në vijim.

Profesori universitar, Izet Zeqiri, përmes një shkrimi nëpër rrjetet sociale, potencon se ideja e Ministres për zvogëlimin e numrit të universiteteve mbështetet në argumentin e racionalizimit të sistemit, me synim konsolidimin e burimeve njerëzore dhe financiare, rritjen e cilësisë akademike dhe përmirësimin e performancës kërkimore.

Por, Profesori ka edhe dilemat e tij.

Në diskursin publik shtrohet dilema nëse kjo qasje lidhet realisht me numrin e përgjithshëm të universiteteve si problem strukturor, apo në mënyrë implicite me numrin e universiteteve që ofrojnë mësim në gjuhën shqipe. Kjo dilemë e bën të domosdoshëm një debat të mbështetur në indikatorë objektivë të cilësisë, performancës dhe efikasitetit institucional, në mënyrë që reformat e propozuara të perceptohen si funksionale dhe gjithëpërfshirëse.

Profesori Izet Zeqiri ka publikuar edhe një analizë krahasuese rajonale mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas tij, krahasimi i numrit të universiteteve në Maqedoninë e Veriut (18), Shqipëri (39) dhe Kosovë (41) evidenton dallime të rëndësishme në strukturën dhe politikat e zhvillimit të arsimit të lartë.

Duke analizuar numrin e universiteteve për kokë banori, Profesori Izet Zeqiri thotë se, Kosova, me një popullsi pothuajse të barabartë me Maqedoninë e Veriut, rreth 1.8 milion banorë, operon me 41 institucione të arsimit të lartë, që është më shumë se dyfishi i numrit të universiteteve në Maqedoninë e Veriut. Ngjashëm, Shqipëria, me një popullsi vetëm rreth 30 për qind më të madhe, ka mbi dyfishin e institucioneve të arsimit të lartë.

Sipas profesorit universitar, Izet Zeqiri, problemi nuk qëndron te sasia, por te menaxhimi i brendshëm, shpërndarja e burimeve dhe efikasiteti institucional.

Nëse analizohet raporti universitet-popullsi, del në pah një tregues veçanërisht domethënës: në Kosovë ekziston një universitet për çdo 44 mijë banorë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut një universitet për çdo 100 mijë banorë. Kjo tregon se qytetari i Maqedonisë së Veriut ka dy herë më pak zgjedhje dhe qasje institucionale krahasuar me qytetarin e Kosovës. Këto shifra dëshmojnë se sistemi i arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut është tashmë i racionalizuar në raport me standardet rajonale, ndaj çdo pretendim se numri aktual i universiteteve është i lartë rezulton faktikisht i pabazuar.

Në diskursin publik shpesh krijohet përshtypja se Maqedonia e Veriut ka një numër të tepërt universitetesh, por, sic thotë Profesore Zeqiri, sipas të dhënave statistikore rajonale tregojnë të kundërtën, pasi vendi ka numrin më të ulët të universiteteve në rajon.

Ky fakt e zbeh ndjeshëm argumentin për reduktim sasior dhe ngre dyshime se problematizimi mund të jetë i orientuar drejt universiteteve që ofrojnë mësim në gjuhën shqipe, të cilat përbëjnë shtylla të rëndësishme të barazisë sociale dhe etnike në vend. Edhe pse racionalizimi paraqitet si mjet për rritjen e cilësisë, mbetet rreziku që kjo reformë të perceptohet si një agjendë politike.

Sfida kryesore e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut nuk është numri i institucioneve, i cili është më i ulëti në rajon, por mënyra e menaxhimit të tyre dhe niveli i cilësisë akademike – thotë profesori universitar Izet Zeqiri.

Sipas tij, çdo reformë që synon reduktimin e numrit të universiteteve pa një bazë të fortë meritokratike dhe empirike do të interpretohet si tendencë politike ndaj arsimit në gjuhën shqipe. Rruga e qëndrueshme mbetet rritja e cilësisë brenda institucioneve ekzistuese, përmes transparencës, integritetit akademik dhe përdorimit më efikas të burimeve publike.

Të fundit