Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut ka propozuar ndryshime në Ligjin për Standardin Studentor, me të cilat parashihet kufizimi i moshës për studentët që mund të akomodohen në konviktet shtetërore.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se nga tani e tutje, kufiri maksimal i moshës për aplikim për akomodim në konvikte do të jetë 30 vjeç. Sipas saj, ky ndryshim vjen pas analizave që kanë zbuluar raste ku studentë kanë qëndruar për shumë vite në konvikte, duke shfrytëzuar shërbimet me kosto të ulët.
“E kufizojmë moshën për studentët deri në të cilën mund të akomodohen në konviktet studentore. Kemi detektuar studentë të cilët prej vitesh vazhdojnë të akomodohen në konvikte”, tha Janevska, duke shtuar se qëllimi është që kapacitetet e konvikteve të jenë në dispozicion për studentët që kanë nevojë reale për to.
Ndryshimet ligjore parashohin edhe masa më të rrepta disiplinore për studentët që shkelin rregullat e konvikteve. Studentët që shkaktojnë dëme, përdorin alkool apo substanca të tjera, ose kryejnë sjellje të dhunshme, fyese apo kërcënuese, mund të përballen me ndalesë nga akomodimi në konvikte për një periudhë prej 1 deri në 5 vite.
Janevska theksoi se paralelisht po punohet në përmirësimin e kushteve në konviktet studentore. Sipas saj, dy objekte studentore në Shkup, “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski – Pitu”, janë në proces të rikonstruksionit dhe synohet modernizimi i tyre.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se me një kornizë financiare prej 86 milionë eurosh, nga fondet e Bashkimit Evropian, Ministrisë së Arsimit dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, do të rinovohen 9 konvikte shtetërore studentore dhe 7 qendra burimore.
Sipas saj, këto masa janë pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar standardin studentor, për të krijuar kushte më të mira për të rinjtë dhe për të ulur largimin e tyre jashtë vendit.







