24/04/2024
8.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kalkulimet, kombinimet dhe skenarë të mundshëm që e presin RMV-në

Opozita shqiptare e ka vendosur në pozitë të palakmueshme BDI-në, që nga momenti kur Arben Taravari shpalli kandidaturën për president, gjë e cila krijoi eufori te vota opozitare shqiptare, që shpesh herë ka qenë më e shumtë në numër se sa vota pro-qeveritare.

Nëse BDI-ja vendos që të mbështes ndonjë kandidat partiak të LSDM-së, është më se e qartë se opozita shqiptare do të grumbullojë shumë vota në zgjedhjet presidenciale, e që më pas do e përdorë si tregues suksesi për zgjedhjet parlamentare që mbahen vetëm dy javë pas rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, shkruan Tv Koha.

Sipas informatave jozyrtare, zëvendëskryeministri nga radhët e LSDM-së Fatmir Bytyqi ka qenë në kombinim dhe është përfolur nga partnerët e koalicionit qeveritar si kandidat i përbashkët, megjithatë për arsye të panjohura nuk ka marr dritën jeshile.

Në mungesë të një kandidati konsensual për president në kuadër të koalicionit qeverisës, BDI-ja ka vendosur që të ketë nxjerr kandidatin e tyre , që me shumë gjasa do të jetë Bujar Osmani, Ministri aktual i Punëve të Jashtme.

Jo më larg se mbrëmë, gjithë funksionarët e BDI-së paralajmëruan “Lajmin e Madh” që do jep kryetari Ahmeti e që ka të bëj me kandidatin e BDI-së për president të shtetit të Maqedonisë së Veriut.

LSDM-ja e cila sipas të gjitha anketave dukshëm ka humbur mbështetjen tek blloku politik maqedonas, i frikësohet diferencës së madhe të votave në zgjedhjet presidenciale, e që mund të reflektojë negativisht në rezultatet zgjedhjet parlamentare, ku VMRO-DPMNE-ja prinë bindshëm në të gjitha matjet e opinionit publik.

Zgjedhjet presidenciale mund të krijojnë përçarje të madhe tek partnerët aktual të koalicionit qeverisës, gjë e cila do të shkaktonte probleme në formimin e qeverisë pas zgjedhjeve nëse do t’i kenë numrat për të formuar qeverinë e ardhshme.

Sipas të gjitha analizave, qeveria teknike pas zgjedhjeve pritet të zgjatë deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Sipas informatave jozyrtare, të gjitha partitë shqiptare do të kushtëzojnë partitë e bllokut maqedonas që të votojnë ndryshimet kushtetuese para formimit të qeverisë.

Nuk përjashtohet mundësia edhe për një qeveri gjithëpërfshirëse ku do të votoheshin të gjithë ndryshimet kushtetuese, përfshirë këtu edhe heqjen e termit të 20% nga kushtetuta dhe zëvendësimin e saj me gjuhën shqipe, e më pas të organizohen zgjedhje të reja, thuhet në analizën e Tv Kohës.

Sipas matjeve të opinionit publik, koalicioni aktual qeveritar nuk do të ketë mundësi që të sigurojë 61 deputetë pasi që LSDM-ja ka rënie të dukshme. VMRO-DPMNE-ja pritet që të del fitimtare madje me diferencë mbi 6 deputetë ndaj LSDM-së.

Pavarësisht se nuk është zyrtare, mesa duket BDI-së nuk i konvenon që të garojë në lista të përbashkëta me LSDM-në, gjë në cilën partia e Kovaçevskit mbante shpresë, si mënyrë e vetme për të dal para partisë së Mickoskit.

Nuk dihet nëse VMRO-DPMNE-ja do të merr mjaftueshëm deputetë për të bërë koalicion me opozitën shqiptare ose me BDI-në , ku partia e Ahmetit mesa duket nuk po i shkon për shtati më LSDM-së me kërkesat e tyre dhe po kërkon partner të ri për formimin e qeverisë.

Megjithatë, çdo gjë do të bëhet e qartë natën e 8 majit kur do të publikohen rezultatet e verdiktit të qytetarëve. Besjan Leka TV KOHA

Të fundit