Dy njësi të reja të rralla të rrëqebullit ballkanik janë regjistruar në territorin e Parkut Kombëtar Sharr, duke e çuar në pesë numrin e përgjithshëm të këtij lloji të mbrojtur në këtë zonë.
Nga administrata e parkut bëjnë të ditur se rrëqebujt janë evidentuar përmes kamerave kurth gjatë monitorimit të rregullt të faunës së egër, në një zonë që administrativisht i përket Vrapçishtit.
Sipas tyre, individët e sapoidentifikuar janë në gjendje të mirë shëndetësore, çka konsiderohet si një sinjal pozitiv për rimëkëmbjen graduale të popullatës së këtij lloji të rrallë në malësinë e Sharrit.
Nga parku theksojnë se këto rezultate janë fryt i aktiviteteve shumëvjeçare për mbrojtjen e natyrës dhe jetës së egër. Ata paralajmërojnë se do të vazhdojnë me monitorimin dhe me masat për ruajtjen e ekosistemeve në Sharr.
Rrëqebulli ballkanik konsiderohet si një ndër gjitarët më të rrezikuar në rajon, ndërsa çdo individ i ri i regjistruar përbën një hap të rëndësishëm në përpjekjet për mbijetesën e tij.







