22/07/2024
28.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Karnavalet e Bozovcës, tradita e neglizhuar

Pa ose me mbështetje të vogël nga shteti, Ministria e Kulturës, ose në rastin më të keq me premtime për fonde që nuk u ndanë asnjëherë nga Komuna e Tetovës, organizatorët janë të bindur që do ta vazhdojnë, qoftë edhe me manifestimin tradicional brenda fshatit. Së bashku me Ditën e Verës, Karnavalet ilire të Bozovcës janë vetëm një pjesë e vogël e thesarit popullor të festimeve pagane që duhet të valorizohet, pasi rrezikojnë zhdukjen

Evis HALILI

Shkup, 28 janar – Karnavalet e Bozovcës këtë vit shënojnë 15 vjetorin e rikthimit. Pa ose me mbështetje të vogël nga shteti, Ministria e Kulturës, ose në rastin më të keq me premtime për fonde që nuk u ndanë asnjëherë nga Komuna e Tetovës, organizatorët janë të bindur që do ta vazhdojnë, qoftë edhe me manifestimin tradicional brenda fshatit. Në pritje të rezultateve të Konkurseve vjetore në Kulturë, nga Këshilli organizativ i apelojnë institucioneve që të tregohen më të vëmendshëm sa i takon ngjarjeve të tilla që ruajnë në një formë unike traditat dhe kulturën shqiptare. Ruajtja e trashëgimisë kulturore, traditave të festimit të stinës dhe nisjes së një jete të re janë arsyet që çdo vit organizatorët insistojnë dhe arrijnë të organizojnë manifestimin, qoftë edhe me pjesëmarrje modeste dhe në disa raste edhe pa mbështetje financiare nga institucionet.

“Jemi mësuar që t’na japin pak mjete financiare, ose aspak, një vit po një vit jo. Vjet morëm 130 mijë denarë, qesharake… këtë vit ndoshta edhe nuk na financojnë. Sa i takon komunës së Tetovës, as që kemi aplikuar, ata na kanë 5.500 euro borxh, ose para që na i dedikuan për manifestimin që nga viti 2016 dhe akoma nuk i kemi marrë. Vjet ishim në Prishtinë e Suharekë ku manifestimi u realizua falë mbështetjes së institucioneve kosovare të kulturës”, thotë Neshat Mehmedi, një prej organizatorëve. Karnavalet ilire të Bozovcës do të zhvillohen në 11 dhe 12 mars. Manifestimi qendror zhvillohet në fshat, ndërsa të nesërmen Karnavalet ilire zbresin në Tetovë, në një defile në rrugët kryesore të qytetit… Organizatorët i përmbahen një programi të thjeshtë i bazuar në gojëdhëna të mbledhura nga më të moshuarit e materialet etnografike për mënyrën sesi kjo zonë shënonte ndërrimin e stinëve, kalimin nga dimri në pranverë. Ritualet e nusërimit, të ashtuquajtura “të teleisjes”, tipike për këtë zonë, prezantimi i veshjeve tradicionale do të jenë disa prej pikave kryesore të programit, krahas lojërave, shtrimit të gostive me ushqimet vendase në tre shtëpi të improvizuara enkas për të pritur të ftuarit dhe gostitjen e tyre.

“Vitin e kaluar organizuan edhe një konferencë lidhur me teleisjen, që nëse do të kemi mundësi financiare do ta botojmë si një përmbledhje. Por kjo formë e pritjes për fonde ­çdo vit nuk është e arsyeshme. Institucionet e kulturës duhet të njohin këtë manifestim me një status të posaçëm, ashtu si e meriton”, thonë në Këshillin organizativ. Karnavalet ilire të Malësisë së Sharrit konsiderohen si më të vjetrat në Ballkan dhe vazhdojnë të ngacmojnë kërshërinë e studiuesve. Të ngjashme me Karnavalet e Bozovcës konsiderohen ato të Pojanit (Korçë – Shqipëri), ku dy zonat dallojnë vetëm sa i takon ndryshimeve në veshjet tradicionale. Së bashku me Ditën e Verës, Karnavalet ilire të Bozovcës janë vetëm një pjesë e vogël e thesarit popullor të festimeve pagane që duhet të valorizohet, pasi rrezikojnë zhdukjen. (koha.mk)

Të fundit